Këtë të martë, në Gjykatën e Prishtinës janë dëgjuar pesë dëshmitarë në gykimin ndaj L.B, ish-drejtor i ndërmarrjes së re “Llamkos” dhe tre të akuzuar tjerë me incialet D.M., I.P. dhe M.C, të cilët po përballen me akuzën e prokurorisë speciale për disa vepra penale, raporton Drejtësia Sot.
L.B., D.M., I.P. dhe M.C. po akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, ndërsa L.B. po gjykohet edhe për shpërlarje të parave.
Në këtë seancë, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtarët Arben Hoti-kryetar, Shadije Gërguri dhe Mentor Bajraktari anëtar, janë dëgjuar dëshmitarët e fundit të prokurorisë me incialet N.I., Sh.S., F.R., Sh.P. dhe M.S..
Dëshmitarët F.S. dhe N.I., në këtë gjykim theksuan se kanë punuar në departamentin e shitjes pranë ndërmarrjes së re “Llamkos”.
N.I tha se ka qenë referent i shitjes dhe detyrat e tij kishin të bënin me përcjeljen dhe faturimin e mallit, në këtë rast llamarinës, tek blerësit e kësaj fabrike që kryesisht ishin të kontraktuar paraprakisht.
Kurse dëshmitari F.R. theksoi se në periudhën e viteve 2005-2007 ka qenë menaxher i shitjes në këtë ndërmarrje. Duke iu përgjigjur pyetjeve të palëve, ai spjegoi hollësisht se si ka rrjedh procesi i shitjes por edhe i prodhimit.
Dëshmitari potencoi se në disa raste, me urdhërin e pronarit të kësaj ndërmarrje të privatizuar, i cili kishte prejardhje bullgare, kanë furnizuar disa kompani me llamarinë dhe materiale tjera pa e kryer pagesën. Ai ndër të tjera tha se një mënyrë e tillë e të operuarit kishte ndodhur edhe me kompaninë “Shen” që përmendet në aktakuzë, për të cilën potencoi se iu është dhënë mall në vlerë prej mbi 480 mijë euro, nga të cilat janë arritur të paguhen vetëm mbi 27 mijë euro.
Në këtë gjykim gjithashtu dëshmuan edhe dëshmitarët Sh.P dhe M.S. Ata para trupit gjykues sqaruan se në periudhën kohore që përmendet në aktin akuzues kanë punuar si transportues malli. Këta dëshmitarë sqaruan se kanë transportuar llamarinë disa herë prej ndërmarrjes së re “Llamkos” për në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.
Kurse dëshmitari Sh.S. ka dëshmuar lidhur me një kompani në të cilën ishte bashkëpronar me tani të akuzuarin L.B. Ai tha se kjo kompani kishte gjithsejt katër pronarë dhe operonte në tregun e kompanive të taksive. Dëshmitari iu është përgjigjur pyetjeve të palëve dhe trupit gjykues lidhur me funksionimin e kësaj kompanie dhe rolin e të akuzuarit L.B.
Pasi përfundoi dëshmia e këtyre dëshmitarëve, trupi gjykues ndërpreu gjykimin për ditën e sotme për të njoftuar se i njëjti do të vazhdojë më datë 31 janar 2022, ku do të administrohen provat materiale.
Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale, të datës 9 tetor 2020, e cila përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli, të akuzuarit D.M, A.K. dhe I.P. po akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, pasi që si bashkëpronarë të një kompanie nga Ferizaj, gjatë vitit 2005 i kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive, në vlerë prej më shumë se 243 mijë euro.
Sipas aktakuzës, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar për një kompani fiktive si blerës, në vlerë të përgjithshme prej më shumë se 487 mijë euro, e më pastaj një pjesë e mallit në vlerë prej më shumë se 220 mijë euro është transportuar në depon e një fabrike në Ferizaj, me urdhërin e të akuzuarit L.B i cili në këtë kohë ishte drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”.
Aktakuza më tutje thotë se ky mall asnjëherë nuk është paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”.
L.B., gjithashtu akuzohet se si drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”, ka faturuar shitjen e mallit – llamarinë e zinkur për disa kompani, i cili mall është transportuar tek to por nuk është është paguar asnjëherë. Akti akuzues pretendon njëra ndër kompanitë ku është transportuar ky mall, ka qenë edhe kompania ku pronar ishte i pandehuri tjetër M.S..
Aktakuza sqaron se në periudha të ndryshme, nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, me urdhër të të akuzuarit L.B iu ishin paguar personit V.J., shuma prej rreth 300 mijë euro.
Ndërsa i akuzuari L.B., po akuzohet edhe për shpërlarje të parave, pasi që kishte përfituar nga të akuzuarit I.P., A.K. dhe D.M. një parcelë në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal. Sipas aktakuzës, këta persona kishin lidhur kontratë për shitblerje të kësaj parcele me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, prandaj edhe shuma e paraqitur në kontratë asnjëherë nuk ishte paguar nga i akuzuari L.B.
L.B po ashtu akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim fshehjes së burimit ilegal të saj, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve D.M., A.K. dhe I.P., ka pranuar shumën prej 100 mijë eurove nga i akuzuari D.M.
Përveç kësaj, aktakuza gjithashtu sqaron se L.B kishte themeluar një kompani, duke deponuar shuma të ndryshme të hollave për të fshehur apo maskuar burimin ilegal të mjeteve financiare të përfituara nga aktiviteti i kundërligjshëm.
Vlen të theksohet se dy pika të aktakuzës në këtë rast janë hudhë poshtë për shkak të parashkrimit absolut, ndërsa poashtu është pushuar procedura penale ndaj të akuzuarit A.K. për shkak të vdekjes së tij.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus