Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinës, këtë të mërkurë, janë administruar provat materiale të prokurorisë në gjykimin për korrupsion ndaj dy zyrtarëve doganorë Besnik Beshi dhe Artan Ferati, raporton Drejtësia Sot.
Ferati dhe Beshi, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë po akuzohen si si zyrtarë doganorë, përkundër obligimit ligjor nuk kanë bërë asgjësimin e disa mallrave.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Alltën Murseli, fillimisht janë shikuar disa video-incizime, me anë të së cilave prokuroria pretendon se vërtetohet fakti që në vendin e ngjarjes i akuzuari Ferati nuk ka kryer detyrat e përcaktuara me ligj.
Përveç kësaj, në këtë gjykim u administruan edhe provat tjera materiale të propozuara në aktin akuzues të përfaqësuar nga prokurori Shkëlzen Ibrahimi, me përjashtim të disa provave që kanë të bëjnë me të akuzuar tjerë ndaj të cilëve më nuk zhvillohet procedurë penale.
Avokatët mbrojtës paraqiten vërejtjet e tyre në kuptim të mbrojtjes për këto prova materiale, derisa mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Beshi, i propozoi gjykatës edhe disa prova të reja.
Njëra nga këto prova ishte edhe një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prizren për një çështje civile, për të cilin prokurori Ibrahimi tha si i duhet më shumë kohë që të jap një vlerësim për të.
Ndërsa për provat tjera, ai tha se nuk kanë ndonjë relevancë për këtë çështje penale andaj i propozoi trupit gjykues që t’i refuzojë.
Trupi gjykues në këtë moment vendosi që të ndërprejë këtë seancë për ti dhënë mundësi prokurorit, por edhe Doganës së Kosovës si palë e dëmtuar, përfaqësuesi i së cilës mungoi në këtë seancë, që në gjykimin e radhës të caktuar më datë 21 janar 2022, të japin vlerësimet e tyre lidhur me këtë provë.
Vlen të theksohet se prokurori Ibrahimi, në këtë shqyrtim gjyqësor i dorëzoi trupit gjykues dipozitivin e 4-të të akakuzës të ndryshuar dhe spastruar.
Ai tha se ky përmisim vjen si rezultat i faktit se pasi që me aktvendim ka pushuar procedura penale ndaj të pandehurit Flamur Hoti, është paraqitur si nevojë që ky dispozitiv të përmisohet ngase në gjendjen faktike aktuale të përshkruar në aktakuzë janë të përfshira veprimet e të akuzuarit Besnik Beshi së bashku me Flamur Hotin. Ndryshe, në këtë çështje penale kishin qenë të akuzuar edhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, si dhe avokati Xhevdet Rama, por të njejtit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë.
Në këtë rast të akuzuari kishin qenë edhe Flamur Hoti, të cilit i ngarkohej vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar, si dhe Selatin Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve.
Mirëpo ndaj tyre ishte pushuar procedura penale pasi që ishin hudhur poshtë pikat e aktakuzës përkitazi me ta.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xhevdet Rama akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar, pasi që me dashje i kishte vënë në dispozicion mjetet për kryrjen e veprës penale të akuzuarit tjetër Artan Feratit. Sipas aktakuzës thuhet se më 01.04.2016, ai me dëshirë e kishte transportuar zyrtarin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë. Më pas thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, i kishte urdhëruar punëtorët fizik që të nxjerrin vetëm dy paketa nga e gjitha sasia e mallit, të cilat edhe ishin asgjësuar.
Ndërsa pjesa tjetër e mallit ishte shkarkuar nga furgoni, me të cilin ishte larguar i akuzuari Avdullah Latifi. Sipas aktakuzës, kjo kishte ndodhur me dëshirën që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar.
Pastaj, sipas aktakuzës, kjo sasi e mallit, përkatësisht parfumet e destinuara për shkarkim ishin gjetur dhe konfiskuar nga ana e hetuesve kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.
Ndërkaq, i akuzuari Artan Ferati së bashku me të akuzuarin tjetër Latifi, po akuzohen se nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore. Aktakuza sqaron se më 01.04.2016, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, më saktë pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre.
Pas kësaj, Njësiti Anti Kontrabandë i Doganës së Kosovës kishte konfiskuar këtë sasi të mallit i cili ishte i destinuar për asgjësim, kurse i akuzuari Latifi menjëherë i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti. Ndërsa, i akuzuari Besnik Beshi, po gjykohet se si shef i ndërrimit në ZBD në Prizren, ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.
Sipas aktit akuzues, ai kishte vënë nënshkrimin e tij në raportet e të akuzuarit tjetër Flamur Hoti, se kinse ka qenë prezent në përpilimin e raportit të asgjësimit të mallit, edhe pse në realitet ai nuk kishte qenë pjesëmarrës gjatë hartimit të këtij raporti.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më parë
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus