Fillon rishtazi gjykimi në rastin e njohur si “Stenta 2”, mbrojtja kërkon hedhjen e aktakuzës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

16:19 / 16 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të zgjatjes së shtyrjes së seancës mbi tre muaj, filloj rishtazi gjykimi në rastin e njohur si “Stenta 2”, raporton Drejtësia Sot.

Pasi hapi seancën e sotme, Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, theksoi se ky gjykim do të filloj rishtazi meqë kanë kaluar mbi tre muaj nga seanca e fundit, kjo në bazë të nenit 311 pika 3 e KPPRK-së.

Veprimet e deritanishme u konsideruan të lexuara, ndërsa të akuzuarit kishin deklarata për të shtuar në fjalët e tyre hyrëse.

Trupi gjykues më pas vendosi mbi provat e propozuara, ku miratoi shumicën e provave materiale të propozuara nga mbrojtja, ndërsa refuzoi shumicën e propozimeve për dëshmitarë.

Të akuzuarit në deklarimet e tyre gjatë kësaj seance kërkuan që prokuroria të tërhiqet nga aktakuza, me arsyetimin se vepra penale për të cilën akuzohen sipas prokurorisë në fakt është e rregulluar si kundërvajtje sipas Ligjit për Shëndetësi 04/L-125 neni 41 dhe 94, si dhe Statuti i QKUK, ku janë cilësuar dhe sanksionet përkatëse.

Shqyrtimi gjyqësor parprakisht ishte caktuar që të vazhdonte nesër me dëgjimin e dëshmitarëve, por për shkak të komunikimit të vonë me dëshmitarët, seanca e nesërme u anulua ndërsa seancat e radhës u caktuan për datat 25 janar si dhe 10, 15 dhe 21 shkurt 2022, me fillim në ora 9:30.

Kujtojmë se në këtë rast të akuzuar janë: Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje duke vepruar si persona zyrtar, si mjekë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë.

Të njëjtit me dashje dhe dijeni iu kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave të cilët edhe pse i kishin kryer trajtimet mjekësore, e në disa raste të afërmve për pacientët që kishin vdekur në spitalet private “International Medicine Hospital” IMH, me qëllim që atyre të iu kompensonin shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet. Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Kujtim Kastrati