Fillon gjykimi për korrupsion ndaj kryeshefit të KUR “Prishtina” dhe të tjerëve , jepet fjala hyrëse

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

15:55 / 08 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pas më shumë se 1 viti nga seanca fillestare, në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë, ka nisur gjykimi kryesor ndaj Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, raporton Drejtësia Sot. Në seancën e udhëhequr nga gjyqtari Kushtrim Shyti, është proceduar me leximin e aktakuzës, deklarimin e të akuzuarve rreth fajësisë dhe fjalën hyrëse.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, të gjithë të akuzuarit përsëri u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.

Më pas seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurores, e cila ndër të tjera tha se prokuroria ka ofruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar tezën e këtij akti akuzues.

Ndërsa mendim të kundërt patën avokatët mbrojtës, ku secili veç e veç pretenduan se aktakuza nuk ka prova bindëse dhe se nuk do të arrihet të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.

Gjatë kësaj seance prokurorja Hamiti propozoi edhe dëgjimin e dëshmitarit A.K., i cili nuk ishte i propozuar me aktin akuzues.

Ndonëse këtë propozim e kundërshtuan avokatët mbrojtës, gjykata vendosi që ta aprovojë. Kurse gjykata refuzoi propozimin e avokatëve që të veçohet procedura penale për të akuzuarit Pacolli dhe Maliqi, me arsyetimin e mosprolongimit të procedurës penale. Seanca e fundit e mbajtur për këtë rast ishte ajo e datës 2 dhjetor 2020, në të cilën të akuzuarit Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica, secili veç e veç u deklaruan të pafajshëm për veprën penale që u vihet në barrë sipas aktakuzës.

Sipas aktakuzës të ngritur me datë 01.11.2019, i pandehuri Selatin Retkoceri në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KUR) Prishtina, ndërsa i pandehuri Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë ‘Cahani’ SHPK, ti sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror. Tutje aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë ‘Cahani’ SHPK, për bartjen e 250 panelave të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9,999.00 euro, ndërsa Remzi Llumnica, kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9,997.55 euro, e cila pastaj është kundërshtuar nga Menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KUR Prishtina.

Me këtë të pandehurit Selatin Retkoceri dhe Remzi Llumnica në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqperdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Ndërkaq, i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikqyrjen e realizimit të kontratës në KUR Prishtina, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mës të autoritetit kontaktues KUR Prishtina dhe operatorit ekonomik KWE (Kosova Water & Energji), ashtu që prej datë 11.07.2013 deri me 06.05.2015 faturat në sasi të përgjithshmë prej 1,350 copë gjysmë lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 cent për copë, janë paguar me çmim të gjysmë lidhësve ¾ të mesingut apo metalike me çmim 2.39 cent për copë, me ç’rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KWE rreth 2,500.00 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KUR Prishtina.

I pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KWE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KUR Prishtina, prej datës 11.07.2013 deri me 06.05. 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në shumat e lartcekura, me ç’rast i është bërë pagesa nga kjo e fundit, duke i sjellur kështu kompanisë KWE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2,500.00 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KUR Prishtina.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët

Monitoruar nga Rinon Arifi