Gjykata Themelore e Pejës, sot ka shpallur vendimin ndaj kryetarit të komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili po akuzohet nga Prokuroria e Pejës, për veprën penale konflikt interesi më saktësisht për punësimin e vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë, raporton Drejtësia Sot. Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, të akuzuarit Elezaj, iu shqiptua dënimi me gjobë në shumën prej 4000 mijë euro të cilin obligohet ta paguaj në afat prej 6 muajsh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në rast të mos pagimit të këtij dënimi brenda afatit të përcaktuar atëherë dënimi me gjobë zëvendësohet në dënim me burg ku një ditë burgu i llogaritet në shumën prej 20 (njëzetë) euro. Ndërsa sa i përket propozimit të prokurores për shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik” gjykata ka vendosur që këtë dënim mos të ia shqiptoi duke u bazuar në dënimin e shqiptuar, faktin se vajza e tij më nuk punon në atë pozitë dhe se nuk ka arsye për të besuar se nga i akuzuari mund të përsëritet vepra penale.
Kujtojmë se Elezaj, në dhjetor të vitit 2020, ishte shpallur fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohej dhe ndaj të njëjtit Gjykata e Pejës, kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 4000 (katër mijë) euro të cilin dënim obligohej ta paguante në afat prej 6 (gjashtë) muajsh.
Gjykata të akuzuarit Zenun Elezaj, i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik” në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve.
Mirëpo në prill të vitit 2021, ky rast është kthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Ndryshe sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari Zenun Elezaj, me datë 20.02.2018, në Klinë, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, edhe pse e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në çështje zyrtare-administrative duke marrë vendim me datë 20.02.2018, me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës.
Tutje në aktakuzë thuhet se bazuar në konkursin e publikuar me datë 02.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme” ( një ekzekutuese) komisioni në fjalë e ka përzgjedh vajzën e të pandehurit si më të suksesshme duke e punësuar të njëjtën si mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF “Nënë Tereza” në Klinë.
Drejtësia Sot, në vazhdimësi ka shkruar dhe raportuar lidhur me këtë rast
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus