Dëgjohet njëri prej të dëmtuarve, në rigjykimin ndaj Ilir Tolaj të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

14:48 / 03 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ka vazhduar seanca gjyqësore në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtina, ku ish-Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Ilir Tolaj në pikën 1.7., të aktakuzës, pika e vetme e mbetur për tu gjykuar akuzohet se ka drejtuar një kampanjë në dëm të kompanisë ‘Jona Med’, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Në seancën e sotme është dëgjuar i dëmtuari- dëshmitari Bekim Deshishku, i cili ndër të tjera ka theksuar se i mbështet deklaratat e tij të mëhershme, dhe pasi që ka kaluar një kohë shumë e gjatë nuk kam çfarë tjetër të shtoj, pasi që të gjitha provat dhe pretendimet e tij  i ka dorëzuar në dosjen e tij me rreth 80 mijë faqe.

Ku gjithashtu e ka theksuar se si pronar i kompanisë “Jona Med”,  ndjehet i dëmtuar nga Ministria e Shëndetësisë në të gjithat e format, përkatësisht në mos pagesë të pagës së kontratave, prishje të kontratave, bllokim të importeve etj.

Por i dëmtuari Deshishku ndër të tjera ka theksuar se nuk kërkoj asgjë, pra kompenzim dëmi, edhe pse veten e ndjenë të dëmtuar.

Ndërsa i akuzuari Ilir Tolaj ka deklaruar se pala e dëmtuar është kompenzuar nga Ministria e Shëndetësisë për demin pretenduar në një proces tjetër. Por një gjë të tillë Deshishku e ka mohuar.

Në ketë drejtim pasi nuk ishin prezent dëshmitarët e tjerë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla e ka ndërprerë seancën, e të radhës e ka caktuar me datë 14 dhjetor me fillim nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës, respektivisht pika 1.7., akuzon Ilir Tolajn se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke drejtuar një fushatë për të dëmtuar kompaninë ‘Jona Med’. Ilir Tolaj ka shërbyer si Sekretar i Përhershëm nga 1 qershori 2006 deri më 10 mars 2008, dhe përsëri nga tetori 2010 deri më 12 janar 2012.

Ilir Tolaj ka punuar gjithashtu edhe si këshilltar personal i Bujar Bukoshit nga muaji prill deri në tetor 2010. Tutje aktakuza thekson se fushata kundër ‘Jona Med’ përbëhej nga: Sigurimi që ‘Jona Med’ të mos fitojë asnjë kontratë nga MSH; Dërgimi i inspektorëve në ‘Jona Med’ dhe duke kërkuar prej tyre që ti dënojnë ata; Bërja e një numri të madh të kallëzimeve penale dhe padive civile ndaj ‘Jona Med’; Duke përdorur ndikimin e tyre për të siguruar që ‘Jona Med’ mos të marr licencat e importit dhe eksportit.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit me vendimin APS.nr.32/20 të datës 14 janar 2021, kishte kthyer në rigjykim çështjen penale sa i përket pjesës 1.7., dhe 1.9., të aktakuzës e cila ngarkon të akuzuarit për veprën penale ‘Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ nga neni 330 par.1 dhe par.3 i Kodit Penal të Kosovës (KPK), ndërkaq që me 22 tetor 2021 PSRK kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në ‘Keqpërodorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’ nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar se pika 1.9., e aktakuzës është parashkruar në prill të vitit 2021, ku gjykata ka njoftuar palët se do të marr aktgjykim refuzues. Së bashku me Ilir Tolajn, në aktakuzën e njejtë akuzoheshin edhe Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha dhe Bujar Bukoshi.

Me datë 11 qershor 2019, gjykata e shkallës së parë kishte veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Bujar Bukoshi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të tij. Ndërkaq pjesa tjetër e të akuzuarve janë liruar për shkak të mungesës së provave ose për shkak të arritjes së parashkrimit për veprat penale më të cilat akuzoheshin. Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast:

Monitoruar nga Elvira Rrahmani