Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Ferizajit, shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabit Zharku, i cili po akuzohet për korrupsion, filloi rishtaz pasiqë nuk ishte mbajtur seancë për një kohë të gjatë, raporton Drejtësia Sot.
Zt. Xhabir Zharku po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj se si person zyrtar – Kryetari i komunës së Kaçanikut ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Pasi shqyrtimi gjyqësor filloi rishtaz, prokurori i shtetit Rasim Maloku lexoi aktakuzën ndaj së cilës i pandehuri Xhabir Zharku u deklarua i pafajshëm. Tutje, u vazhdua me prezentimin e fjalës hyrëse nga prokurori i shtetit dhe avokates mbrojtëse, Albana Kelmendi.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Z.M., i propozuar nga prokuroria. Dëshmitari njoftoi se punonte në Agjencionin Kosovarë për Privatizim si menaxher i zyrës regjionale në Gjilan. Ai gjithashtu shpjegoi se kjo zyre merret me menaxhimin e pronave shoqërore, ku perfshihet kontrollimi i shfrytëzimit të këtyre pronave, shitja, qiraja, etj.
I pytetur për njërën nga parcelat e cila është pjesë e dispozitivit të aktakuzës, dëshmitari Z.M. shpjegoi se sipas dijenisë së tij në atë pronë kishte pasur vetëm një ambulancë dhe se ai nuk ishte në dijeni a kishte qenë kjo pronë edhe qendër zejtare.
Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Mustafa, mbylli seancës e sotshme gjyqësore pas marrjes në pyetje të dëshmitarit Z.M., pasi që dëshmitarët tjerë nuk kishin ardhur.
Trupi gjykues caktoi datat 9 dhe 10 shkurt 2022 me fillim në orën 10:00, për dëgjimin e dëshmitarëve tjerë, të cilët gjykata do t’i ftoje në mënyrë të rregullt.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj Zt. Xhabir Zharku po akuzohet, se me datën 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar – kryetar i Komunës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies së Koncencioneve, meqë rast ka marrë vendim që të lejohet ndërtimi i një objekti për banim kolektiv dhe lokale afariste, e cila i u është dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “ Çlirimtarët “ me seli në Kaçanik.
Gjithmonë sipas aktakuzës, Zt. Zharkun akuzohet se me datën 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar – kryetar i Komunës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka shpërdoruar detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka urdhëruar avokatin publik të Komunës, Fitore Daci – Krivanjeva, që të mos ushtrojë ankesë ndaj një vendimi të Gjykatës Komunale në Kaçanik.
Me këtë i njejti ka kryer veprat penale “ shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit “.
Kujtojmë se ish kryetari i Kaçanikut, kishte paguar dorëzani në shumë prej 100.000 mijë euro që të lirohej nga paraburgimi, ku ishte mbajtur nga data 15 dhjetor 2019 deri më datën 17 qershor 2020 pasi ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës në përpjekje për tu larguar nga Kosova.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus