Dëgjohet edhe një dëshmitar në gjykimin ndaj dy të akuzuarve në rastin e njohur si “Arratisja nga QKUK”

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

14:22 / 06 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykimin e Emrush Thaçit dhe Nexhib Shatrit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumentit dhe lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria, në rastin e arratisjes nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), sot u dëgjua dëshmitari Sh.B., raporton Drejtësia Sot.

Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Emrush Thaqi akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Qendrës së Parabugimit të Prishtinës, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ka mundësuar arratisjen e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës nga QKUK.

Ndërkaq i akuzuari tjetër Nexhib Shatri akuzohet se si mjek i Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, ka lëshuar raporte të rrejshme mjekësore për të burgosurit për ekzaminime në spitalet e tjera jashtë qendrës së paraburgimit. Gjatë marrjes në pyetje, dëshmitari Sh.B. sqaroi për gjykatën edhe procedurat e brendshme të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës për trajtimin e të burgosurve të sëmurë.

Ai tha se i akuzuari Nexhib Shatri asnjëherë nuk kishte ndërhyrë tek dëshmitari, që ky i fundit të lëshonte urdhëzimin për trajtim në QKUK, por sipas dëshmive pacientët ishin udhëzuar sipas procedurave të rregullta bazuar në gjendjen faktike të tyre, dokumentet mjekësore që kishin në posedim si dhe terminet që u ishin caktuar nga specialistët mjekësor për kontroll në QKUK.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari M.GJ. por i njëjti nuk kishte pasur mundësi që të paraqitej për çka ishte njoftuar gjykata, ndërsa mbrojtja e Nexhib Shatrit e cila kishte propozuar dëgjimin e këtij dëshmitari, në këtë seancë vendosi që të tërheqë propozimin që i njëjti të dëgjohej, me arsyetimin se veçse është dëshmuar mbi atë që mbrojtja synonte të dëgjonte nga personi në fjalë.

Gjykata aprovoi këtë propozim të mbrojtjes. Tutje pas dëgjimit të dëshmitarit, kryetari i trupit gjykues kërkoi që të vazhdohej me paraqitjen e provave, por prokurorja e rastit Florie Shamolli deklaroi se nuk kishte qenë e informuar për mosprezencën e dëshmitarit të propozuar M.Gj., andaj në mungesë të gatishmërisë, i propozoj gjykatës që provat të i paraqes në një seancë tjetër në mënyrë që të bëhet një elaborim më i tërësishëm i tyre. Duke mos pasur kundërshtim nga palët, gjykata aprovoi propozimin e prokurores dhe ndërpreu seancën e sotme, për të vazhduar seancën e radhës me datë 11 janar 2022 me fillim në ora 13:15. Ndryshe, sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale, Florije Shamolli, me shenjën PPS.nr.67/2014, të datës 17.11.2016, e përgatitur nga prokurori i EULEX-it, Romulo Mateus, Emrush Thaqi për pikën 1 dhe 2 të aktakuzës akuzohet se gjatë muajit maj 2014 duke vepruar në cilësinë e Drejtorit të Qendrës së Parabugimit të Prishtinës, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke shkelur qëllimisht dhe me vetëdije ligjet që lidhen me detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të ju mundësoj të paraburgosurve: Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të arratisen nga objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës. Sipas aktakuzës i njejti nuk ka ushtruar kontroll ndaj njësisë vartëse korrektuese të Qendrës së Paraburgimit, krejt kjo me qëllim të përfitimit për vete duke vazhduar të mbetet në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ndërkaq i pandehuri Nexhib Shatri në pikën 14 të aktakuzës akuzohet se prej të paktën 02 janar 2014 e tutje duke vepruar në pozitën e personit zyrtar, si mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lëshuar raporte mjekësore të rrejshme duke kërkuar ekzaminime mjekësore për të paraburgosurin Sami Lushtaku, dhe duke paraqitur kështu gjendje të rrejshme mjekësore për të mundësuar transfere të rregullta të tij në spital, ku i njejti ka gëzuar masa ndjëshëm më pak kufizuese dhe ka qenë në gjendje të shmangë mbikqyrjen korrektuese dhe përfundimisht të arratiset.

Me çka i pandehuri Shatri ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria’.

Kurse për pikën 15 të aktakuzës i pandehuri Nexhib Shatri akuzohet se me 23 korrik 2016 duke vepruar në cilësine e personit zyrtar, si mjek në Qendrën e Paraburgimit ne Dubravë, ka tejkaluar autorizimet e veta, duke mundësuar transferimin e të paraburgosurit Shkelqim Latifaj në ditën e ardhjes së tij nga Dubrava, nga Blloku nr.8 në repartin e spitalit ne Dubravë, duke i mundësuar të njejtit përfitim në formë të gëzimit të kushteve më pak kufizuese. Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Në këtë aktakuzë përfshihen edhe të akuzuarit e tjerë, ku për secilin prej tyre janë përshkruar veprimet inkriminuese, me të cilat Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon që janë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon, gjykimi ndaj të cilëve ka përfunduar.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Kujtim Kastrati