Janë dëgjuar dëshmitarët F.Q., dhe C.Gj., në çështjen penale ku ish-Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ilir Tolaj në pikën 1.7., të aktakuzës, pika e vetme e mbetur për tu gjykuar akuzohet se ka drejtuar një kampanjë në dëm të kompanisë ‘Jona Med’, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Dëshmitari F.Q., gjatë deklarimit të tij theksoi se në cilësine e drejtorit ekzekutiv të kompanisë ‘Jona Med’, ka qenë përgjegjës edhe për perpilimin e ofertave për tëndere në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).
I njejti theksoi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më herët duke mos dashur të krijoj shumë konfuzion për shkak të kohës që ka kaluar.
Në pyetjet e Prokurores Speciale Fikrije Fejzullahu, se a i kujtohet ndonjë rast kur pavarësisht dorëzimit të ofertës më të mirë për tender nuk janë zgjedhur nga MSh, i njejti deklaroi se i kujtohet një rast në tenderin për furnizim me pe kirurgjik ku kanë ofertuar më ofertën më të lirë, procesi ka zgjatur më shumë se zakonisht dhe prapë nuk janë zgjedhur kompania që ai drejton. Në lidhje me këtë çështje tha se janë ndjekur procedurat e ankimimit në organet kompetente.
I njejti tutje shtoi se për shkak të vështirësive që kishin pasur me MSh, kanë vendosur që si kompani të mos vazhdojnë me veprimtari në sektorin publik.
Gjatë kohës së vështirësive i njejti konfirmoi se ministër i MSH ka qenë Bujar Bukoshi, ndërkaq sekretar ka qenë Ilir Tolaj. Tutje shtoi se më të pandehurin Tolaj nuk janë takuar asnjëhere ngase kontaktet e tij me ministrinë kanë shkuar nëpërmjet zyrës së prokurimit.
Ndërkaq dëshmitari C.Gj., deklaroi se asokohe ishte drejtor i Departamentit për shërbime shëndetësore në MSh. Në lidhje me të akuzuarin Tolaj theksoi se ka qenë një person me ndikim të madh në Ministri përtej komptencave të veta, në stilin diktatorial.
Ndërkaq që në lidhje me rastin e kompanisë Jona Med ai shtoi se nuk ka njohuri direkte për këtë çështje, dhe se nuk ka marrë pjesë në procese të prokurimit. Meqenëse dëshmitari tjetër i ftuar për tu dëgjuar M.A., nuk ishte i pranishëm për shkak se adresa e tij ishte konstatuar si e panjohur, gjyqtari i çështjes Avni Syla, ndërpreu këtë seancë për të vazhduar me datë 21 dhjetor ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.
Vlen të theksohet se të pranishëm në këtë seancë nuk ishte përfaqësuesi i avokaturës shtetërore Bedri Krasniqi, i cili me anë të një parashtrese kishte njoftuar gjykatën se nuk do të jetë i pranishëm për shkak të angazhimeve në një gjykim tjetër në Gjykaten e Pejës, mirëpo që ky institucion qëndron në tërësi pranë aktakuzës dhe ndjekjes penale dhe se do të parashtrojnë kërkesë juridiko-pasurore.
Në këtë seancë i pranishëm nuk ishte as mbrojtësi i të akuzuarit Tolaj, avokati Besnik Berisha, i cili ishte ftuar në mënyrë të rregulltë. Sipas aktakuzës, respektivisht pika 1.7., akuzon Ilir Tolajn se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke drejtuar një fushatë për të dëmtuar kompaninë ‘Jona Med’. Ilir Tolaj ka shërbyer si Sekretar i Përhershëm nga 1 qershori 2006 deri më 10 mars 2008, dhe përsëri nga tetori 2010 deri më 12 janar 2012. Ilir Tolaj ka punuar gjithashtu edhe si këshilltar personal i Bujar Bukoshit nga muaji prill deri në tetor 2010.
Tutje aktakuza thekson se fushata kundër ‘Jona Med’ përbëhej nga: Sigurimi që ‘Jona Med’ të mos fitojë asnjë kontratë nga MSH; Dërgimi i inspektorëve në ‘Jona Med’ dhe duke kërkuar prej tyre që ti dënojnë ata; Bërja e një numri të madh të kallëzimeve penale dhe padive civile ndaj ‘Jona Med’; Duke përdorur ndikimin e tyre për të siguruar që ‘Jona Med’ mos të marr licencat e importit dhe eksportit.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit me vendimin APS.nr.32/20 të datës 14 janar 2021, kishte kthyer në rigjykim çështjen penale sa i përket pjesës 1.7., dhe 1.9., të aktakuzës e cila ngarkon të akuzuarit për veprën penale ‘Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ nga neni 330 par.1 dhe par.3 i Kodit Penal të Kosovës (KPK), ndërkaq që me 22 tetor 2021 PSRK kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në ‘Keqpërodorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’ nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar se pika 1.9., e aktakuzës është parashkruar në prill të vitit 2021, ku gjykata ka njoftuar palët se do të marr aktgjykim refuzues.
Së bashku me Ilir Tolajn, në aktakuzën e njejtë akuzoheshin edhe Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha dhe Bujar Bukoshi.
Me datë 11 qershor 2019, gjykata e shkallës së parë kishte veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Bujar Bukoshi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të tij.
Ndërkaq pjesa tjetër e të akuzuarve janë liruar për shkak të mungesës së provave ose për shkak të arritjes së parashkrimit për veprat penale më të cilat akuzoheshin.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana.
Lajmet në fokus