Janë dëgjuar dëshmitarët H.R., dhe S.I., në rigjykimin ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes të cilët po akuzohen për terrorizëm, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departametit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Frashër Krasniqi së bashku me Adea Batushën, Atdhe Arifin dhe Egzon Halitin, po akuzohen për sulmin e shkaktuar në objektin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, kur po ratifikohej marrëveshja e demarkimit të kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit H.R., avokatët mbrojtës të të akuzuarve kërkuan që deklarata e dëshmitarit e dhënë në cilësi të të dyshuarit të shpallet si provë e papranushme dhe të veçohet nga shkresat e lëndës. Në lidhje me këtë propozim Prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu deklaroi se propozimi është i pabazuar ngase nga shkresat e lëndës rezulton se dëshmitari deklaratat e dhëna në polici në bazë të procesverbaleve i ka dhënë në cilësi të dëshmitarit, dhe janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore. Në lidhje me këtë çështje trupi gjykues theksoi se në lidhje me deklaratën e fundit të dhënë në polici nga dëshmitari H.R., do të vendoset në fazën e administrimit të provave materiale ndërkaq që e udhëzoi Prokuroren që pyetjet të parashtrohen vetëm sa i përket deklaratave të tij të dhëna me 05 dhe 06 gusht 2016.
Dëshmitari H.R., deklaroi se i’a kishte shitur motorin Yamaha ngjyrë kuq e zi, dy djemëve të moshës më pak se 30 vjeçare, të cilët ishin prezantuar se vinin nga Rahoveci dhe ishin student në Prishtinë. Ai theksoi se kishte qëndruar rreth 10 min me ta, dhe në atë kohë shikimin e kishte të dobët andaj nuk mund të kujtohet saktë për fytyrat e tyre. Në lidhje me rastin e ndodhur në Kuvend i njejti theksoi se kishte dëgjuar vetëm nga policët hetues kur e kishin kontaktuar në lidhje me motorin. I njejti theksoi se nga policët i ishin prezantuar disa videoingjizime dhe rreth 10 fotografi për identifikimin e personave mirëpo asnjëherë më siguri nuk kishte thënë se kush kishte qenë ngase as vetë nuk e di. Në ballafaqimin nga trupi gjykues me personat e akuzuar në sallë i njejti theksoi se nuk e di nëse kanë qenë këta persona ata që e kanë blerë motorin nga ai.
I njejti theksoi se identifikimin e motorit e kishte bërë me siguri të plotë edhe pse i njejti kishte qenë i djegur në pjesën e përparme ngase në pjesën e ulëses motorit i kishte munguar një bulonë dhe ashtu edhe u’a kishte shitur atyre dy personave.
Ndërkaq dëshmitari S.I., theksoi se në kohën kur ka ndodhur rasti kishte qenë duke punuar si rojtar në Agjencionin Pyjor përballë ndërtesës së Kuvendit. Ai theksoi se në ditën kritike ishte në një dyqan afër ndërtesës kur edhe kishte dëgjuar një zhurmë të madhe dhe duke u kthyer për tek vendi i tij i punës kishte parë një motor duke u larguar me shpejtësi. I njejti nuk ishte i sigurt se sa persona kanë qenë në motor ne atë moment ngase ishte i shqetësuar dhe nuk i kishte kushtuar rëndësi një detaji të tillë. Ndonëse në deklaratën e dhënë në polici i njejti kishte deklaruar se kanë qenë dy persona në motor, në deklarimin e tij sot tha se deklaratën e ka nënshkruar mirëpo për shkak se e ka shikimin e dobët nuk e ka lexuar se çfarë ka pasur të shkruar dhe e njejta nuk i kujtohet nëse i është lexuar nga zyrtarët policor apo jo.
Në këtë drejtim pas përfundimit të dëshmisë së tyre, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli ndërpreu seancën për të vazhduar të radhës në datat 21, 22 dhe 23 mars 2022 me fillim nga ora 09:30. Duhet theksuar se në këtë seancë ishin paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarët S.R., dhe K.V., mirëpo nga shërbimi postar ishte konstatuar si adresë e panjohur.
Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, tani e përfaqësuar nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, katër të akuzuarit, me qëllim që organet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Kuvendi të detyrohet të mos e ratifikoj marrëveshjen mbi Demarkacionin me Malin e zi, kishin kryer sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës me raket – hedhës.
Sulm nga i cili fatmirësisht nuk ishte pasur pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale. Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, kishte dënuar të akuzuarit me rreth 21 vite burgim, ndërsa lënda është kthyer në rivendosje nga Apeli, pasi që ajo kishte gjetur shkelje të dispozitave esenciale të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Përndryshe, me aktgjykimin e parë, ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vite burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vite burgim, Egzon Haliti me 5 vite e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vite heqje lirie.
Ky rast është duke u gjykuar nga trupi gjykues në përbërje të kryetarit Vesel Ismaili me anëtarët Violeta Namani dhe Suzana Çerkini.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana.
Lajmet në fokus