Sot, pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, është aprovuar marrëveshja mbi pranimin e fajësisë ndaj dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Idriz Berisha, i ngarkuar për veprën penale të mos raportimit të pasurisë, raporton Drejtësia Sot.
Berisha, nga ana e Prokurorisë së Gjakovës po akuzohet se me rastin e deklarimit të pasurisë për periudhën 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, nuk i ka deklaruar biznesin e djalit të tij dhe njërin biznes në të cilin është bashkëpronar.
Me të hapur shqyrtimin e sotëm, gjyqtarja e rastit Ilirana Hoti, së pari njoftoi palët se lidhur me këtë çështje penale është lidhur marrëveshja mbi pranimin e fajësisë në mes palëve negociuse Prokurorisë së Gjakovës dhe të akuzuarit Idriz Berisha, i përfaqësuar nga mbrojtësi i tij, avokat Urim Pozhegu. Pas njoftimit të gjykatës, i akuzuari Idriz Berisha, u deklarua fajtor për veprën penale e cila po i vihet në barrë, duke shprehur pendesën e tij. Lidhur me këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, prokurori i shtetit Anton Hasanaj, deklaroi se në këtë gjykatë është sjellë marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, duke theksuar se i akuzuari Berisha, është pajtuar me pasojat dhe benefitet që i përmban marrëveshja mbi pranimin e fajësisë.
Andaj, prokurori Hasanaj, i propozoi gjykatës që marrëveshja e arritur në mes të Prokurorisë dhe të akuzuarit Berisha, të aprovohet. Së këndejmi, mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokat Urim Pozhegu, deklaroi se i mbrojturi i tij pasi është njoftuar me favoret dhe pasojat e kësaj marrëveshje, i njëjti ka pranuar këtë marrëveshje si dhe kjo marrëveshje është bërë me vullnet të plotë nga ana e dy palëve.
Në fund të deklarimit të tij, Pozhegu, i propozoi gjykatës që të aprovoj këtë marrëveshje.
Pas deklarimit të palëve në procedurë, gjyqtarja Hoti, aprovoi marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, ku lidhur me këtë marrëveshje u deklarua së pari prokurori Hasanaj, sa i përket shqiptimit të dënimit.
Prokurori Hasanaj, deklaroi se në bazë të kësaj marrëveshje palët kanë rënë dakord që të akuzuarit Idriz Berisha, ti shqiptohet dënimi me gjobë në shumë prej 200-400 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili me pëlqimin e të akuzuarit i është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 800 deri në 1200 euro.
Lidhur me dënimet e dhëna nga ana e Prokurorisë, u pajtuan edhe mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokat Urim Pozhegu, si dhe vet i akuzuari Idriz Berisha. Në fund të këtij shqyrtimi, gjyqtarja Iliriana Hoti, deklaroi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 21 dhjetor 2021.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2021, i akuzuari Idriz Berisha, po akuzohet se në cilësinë e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani”, në Gjakovë, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për periudhën e vitit nga 1 janari deri me 31 dhjetor 2019, funksion i cili kualifikohet në kuadër të zyrtarëve të lartë publik, sipas nenit 3, paragrafi 1, nën paragrafit 1.1, pika 1.1.13, të Ligjit nr.04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë. Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Berisha, me rastin e deklarimit të pasurisë, nuk i ka deklaruar bizneset “Cardioplus&Partners”, shpk., si bashkëpronar me 11.11 të aksioneve, si dhe biznesin e djalit të tij “Drilon Berisha” shpk., obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se i njëjti ka qenë i informuar dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë. Andaj, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2 të KPRK-së.
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus