Këtë të martë, me dëgjimin e dy dëshmitarëve ka vazhduar gjykimi për krim të organizuar lidhur me fajde ndaj Dalip Brahimit, Ismet Salihut, Bujar Gërbeshit, Rrahim Brahimit dhe Lulzim Berisha, raporton Drejtësia Sot.
Të njejtit po akuzohen se duke vepruar si grup i organizuar kriminal dhe me strukturë të specifikuar, kanë dhënë para me fajde në vlera të mëdha, personave të ndryshëm në Prishtinë duke filluar nga viti 2007 e deri në vitin 2018. Në këtë shqyrtim gjyqësor i cili u udhëhoq nga gjyqtarja Shadije Gërguri, është proceduar me dëgjimin e dëshmitarëve me inicialet N.B dhe J.B. Dëshmitarja N.B., para trupit gjykues ka sqaru.ar se bashkëshorti i saj, tani i dëmtuari S.B., vazhdimisht ka pranuar kërcënime nga ana e të akuzuarve Dalip Brahimi dhe Bujar Gërbeshi.
Ajo ndër të tjera deklaroi se si rezultat i parave të marra me fajde prej të akuzuarve, janë detyruar nga ta që ta lirojnë banesën e tyre në lagjen Dardania, në Prishtinë. Ndërsa dëshmitari tjetër J.B., i cili poashtu ishte i afërm familjar i të dëmtuarit S.B., ka sqaruar se S.B. ishte menaxher kryesor i një kompanie në të cilën punonte edhe ai.
Ky dëshmitar, përveç tjerash tha se sipas informatave të marra nga S.B., ky i fundit kishte hyrë në obligime të shumta pasurore tek persona tjerë.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës kjo seancë është ndërprerë, ndërsa në seancën e radhës do të vazhdohet me dëgjimin e këtij dëshmitari.
Ndryshe, sipas aktakuzës, e cila përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve B. Zh., S. B. dhe B.B. Ndër të tjera në aktakuzë thuhet se i dëmtuari B. Zh., prej vitit 2008 deri në vitin 2018, kishte marrë nga i akuzuari Dalip Brahimi të holla në shumën totale prej 165,914.00 euro, kurse i dëmtuari B. Zh., i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599,000.00 euro.
Për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve B. Zh dhe I. Zh., një lokal me vlerë prej 167,000.00 euro, tri (3) banesa në vlerë prej 146,805.00 euro dhe një veturë “Mercedes”, e krejt kjo pasuri e marrë nga i dëmtuari B.Zh. e tejkalon shumën prej 1 milion euro.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të hollave, së bashku me të dëmtuarin B. Zh. kishin nënshkruar një kontratë formale te noteri, kinse i akuzuari Brahimi i shiste të dëmtuarit B. Zh., një parcelë toke në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100,000.00 euro. Kurse i akuzuari Ismet Salihu, gjatë kohës së lartcekur kishte ushtruar ndikim tek të dëmtuarit B.Zh dhe I.Zh. për kthimin e mjeteve financiare. Ndërsa i akuzuari Bujar Gërbeshi, sipas aktakuzës, në periudhën prej vitit 2007 deri me 20.12.2018, i kishte dhënë para me fajde të dëmtuarit A.M., në shumë rreth 10,000.00 euro, ndërsa ky i fundit ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës për borxhin prej 10.000.00 euro.
Andaj sipas prokurorisë të njejtin akuzohen se bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajde”. Poashtu të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë me të dëmtuarit e lartcekur, në këmbim të shërbimit për personin tjetër. Me çka të njejtit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i Organizuar”.
Kurse të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu, akuzohen se në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, me qëllim të përfitmit të kundërligjshëm pasuror në lokalin e tyre kishin organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent shtetëror.
Andaj të njejtëve sipas aktakuzës, po iu vihet në barrë vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Për këtë pikë të aktakuzës është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve dhe prokurorisë.
Trupi gjykues në krye me gjyqtaren Albina Shabani-Rama, pas aprovimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë dhe të pandehurve, Alban Gecit, i shqiptoi dënim me burg prej 6 muajsh, të cilit do të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërkaq pjesa tjetër e dënimit do ti zëvëndësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 2000 eurosh.
Kurse për të pandehurit Ismet Salihu, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, të cilit poashtu do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Për të pandehurin Alban Geci, gjykata bëri edhe konfiskimin e 2061.5 eurove, një shtëpizë kompjuteri dhe disa dokumentacione.
Kurse për të pandehurin Ismet Salihu, konfiskohen dy pjesë përbërëse të armës dhe një telefon Nokia.
Tutje, në pikën e fundit të dispozitivit të kësaj aktakuze përshkruhet se i akuzuari Lulzim Berisha e kishte ndihmuar të akuzuarin Gërbeshi, duke kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin A. M., ashtu që i njëjti i kishte kërkuar t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të akuzuarit Gërbeshi. Andaj me këto veprime prokurora e ngarkon me veprën penale “Fajde”.
Edhe më herët Drejtësia Sot ka raportuar në lidhje me këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus