Takimi i 272-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

16:06 / 30 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, ka mbajtur takimin e 272-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.

Fillimisht, KGJK ka shqyrtuar dhe miratuar ekstraktet e procesverbaleve të tre takimeve paraprake, e më pas ka vazhduar me procedurën e votimit të kandidatëve të propozuar për gjyqtar mbikëqyrës në Dragash dhe në Suharekë.

Në procesin e votimit ku morën pjesë 8 anëtarë të Këshillit, me 7 vota për dhe 1 votë kundër, gjyqtari Refki Piraj është zgjedhur gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Prizren – Dega Dragash.

Ndërsa, në votimin për gjyqtar mbikëqyrës të Gjykatës Themelore Prizren – Dega Suharekë, gjyqtari Seljadin Gallapeni ka fituar garën për këtë pozitë, ku si kundërkandidat kishte gjyqtarin Robert Tunaj.

Nga votat e tetë anëtarëve të KGJK-së, gjyqtari Gallapeni mori 5 vota ndërsa gjyqtari Tunaj mori vetëm 3 vota.

Gjyqtari Piraj dhe Gallapeni do të fillojnë mandatin si gjyqtar mbikëqyrës në Dragash, përkatësisht në Suharekë, nga data 1 dhjetor 2021, në kohëzgjatje prej 5 viteve, pa mundësi rizgjedhjeje.

GLPS/Drejtësia Sot ka monitoruar dhe raportuar lidhur me fazën e intervistimit të kandidatëve për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Prizren – Dega në Dragash dhe në Suharekë.

Më pas, KGJK ka marrë vendim për përzgjedhjen me short të 1/3 e gjyqtarëve që do t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës për vitin 2022, përmes programit EXCEL, sipas komandës “RANDOM”.

Më këtë rast, Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, bëri të ditur se pjesa e gjyqtarëve që do të vlerësohen në vitin 2022, janë pjesë e mbetur e gjyqtarëve që nuk i është vlerësuar performanca me grupet paraprake që i janë nënshtruar kësaj procedure.

Tutje, në këtë takim, anëtarët e Këshillit u pajtuan që të mbahet procesverbal i kolegjiumeve të gjykatave dhe të degëve të tyre, dhe të njëjtat të jenë pjesë e raportit tremujor të kryetarëve të gjykatave, i cili prezantohet në KGJK.

Po ashtu, Këshilli ka miratuar edhe plotësim/ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Pejë, për vitin 2021.

Mbledhja e sotme ka vazhduar me prezantimin e raportit lidhur me gjendjen aktuale sa i përket ndjekjes së trajnimit nga ana e gjyqtarëve. Sipas raportit, janë evidentuar raste kur gjyqtarët kanë ndjekur më shumë trajnime sesa që ka qenë e nevojshme; gjyqtarët kanë ndjekur trajnime lidhur me fushat në të cilat ata nuk gjykojnë lëndë; si shkak i ndjekjes së trajnimeve dhe mos koordinimit, në disa raste ka pasur dështim të seancave gjyqësore si pasojë e mungesës së gjyqtarëve në gjykime etj.

Kështu, u rekomandua që në të ardhmen të shqyrtohet metodologjia e trajnimeve për gjyqtarë, përshtatja e tyre në raport me nevojat e gjyqtarëve, koordinim më i madh mes gjyqtarëve, kryetarëve të gjykatave dhe Akademisë së Drejtësisë për këto trajnime, niveli i performancës së gjyqtarëve trajnues etj.

Më pas, në takim është prezantuar raporti nga Drejtori i Departamentit të Logjistikës në Sekretariatin e KGJK-së, lidhur me vlerësimin e gjendjes së shërbimeve të postës dhe shpërndarësve të gjykatave.

Nga të gjeturat e këtij raporti konstatohet se ekziston mos përmbushje e detyrave sa i përket pranim/dorëzimit të shkresave të gjykatave, si në aspektin e plotësimit më të dhënat e kërkuara e po ashtu edhe në çështjen e dërgimit apo kthimit të dërgesave gjyqësore nga ana e postierëve apo shpërndarësve të gjykatave, më ç’rast vie deri te dështimi i seancave gjyqësore për shkak të mos dërgimit të rregullt dhe më kohë të ftesave për palët në procedurë.

Anëtarët e KGJK-së u pajtuan që të miratohet një udhëzim lidhur me shërbimet e postës dhe shpërndarësve të gjykatave, ku do të përcaktohen procedurat dhe përgjegjësitë e personave që merren me pranim/dorëzimin e shkresave të gjykatave.

Tutje, KGJK ka diskutuar për rekomandimet dhe procesverbalin e takimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ndër to edhe çështja e caktimit të avokatit nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Adonis Tetajt.

Më këtë rast, KGJK ka vendosur që përmes dy shkresave të ju drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe OAK-ut që të marrin veprimet adekuate, ashtu që të mos ketë edhe më tej  zvarritje të procedurës penale në rastin konkret.

Më pas, Kryesuesi Zogaj ka prezantuar raporti faktmbledhës në të cilin janë përfshirë të gjeturat lidhur me gjendjen e arkivave nëpër gjykata, lëndëve gjyqësore të vjetra dhe atyre të kthyera në rigjykim, ekzekutimi i vendimeve për lëndët e kundërvajtjes, kushtet e punës dhe mirëmbajtja e objekteve të gjykatave, përdorimi i të dhënave elektronike të gjykatave, mungesa e koordinimit të punës në administratë të gjykatave etj.

Më këtë rast u kërkua nga Sekretariati i KGJK-së, kryetarët dhe administratorëve të gjykatave që të marrin veprime konkrete lidhur me organizimin e punës së administratës në secilën gjykatë.

Mbledhja e sotme ka vazhduar me diskutimin lidhur me pronën për Arkivin Qendrore dhe të Gjykatës Supreme, zonë në të cilën parashihet të funksionalizohet edhe Gjykata Komerciale. Më këtë rast, u bë e ditur se do të kërkohet edhe pëlqimi nga ana e Komunës së Prishtinës për shfrytëzimin e kësaj prone.

Më pas, KGJK ka marrë vendim lidhur me zgjatjen e afatit për hartimin e raportit të komisionit ad hoc për auditimin e të dhënave statistikore dhe komisionit për auditimin e ekzekutimeve të dënimeve gjyqësore në lëmin penale dhe kundërvajtje.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe marrja e vendimit për shpalljen e konkursit të brendshëm për dy pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë. Më këtë rast, KGJK ka caktuar edhe anëtarët e Komisionit Intervistues dhe të Komisionit për rishqyrtim.

KGJK ka ndryshuar listën e anëtarëve të Komisionit për rekrutimin e 54 gjyqtarëve të gjykatave themelore, ashtu që në vend të gjyqtarit Milosh Markovic është caktuar gjyqtarja Snezhana Mihajlovic, kurse në vend të gjyqtares Teuta Ibrahimi është caktuar gjyqtari Fidan Hoxha.

Në fund, KGJK ka marrë vendim që të lirojë nga detyra gjyqtarin Nuredin Abazi, për shkak se i njëjti më 4 janar 2022, e arrin moshën e pensionimit që nënkupton përfundim i mandatit si gjyqtar i Gjykatës Themelore Prizren – Dega Suharekë.

Pa praninë e publikut, KGJK kishte në rend të ditës shqyrtimin e këtyre pikave të rendit të ditës: Diskutim lidhur me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kandidatët që nuk janë dekretuar për gjyqtar në Gjykata Themelore të Republikës së Kosovës; Shqyrtimi i ankesës ndaj vendimit KVP.nr.7/024/2021 të datës 13 tetor 2021; Shqyrtimi i ankesës ndaj vendimit KVP.nr.20/061/2021 të datës 13 tetor 2021; dhe Rekomandimi/Propozimi për riemërimin e 37 gjyqtarëve me mandat të përhershëm.

Linku nga takimi i kaluar:

Monitorues Liridon Salihi