Në Gjykatën Themelore të Pejës, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 personave të tjerë të cilët ngarkohen me veprat krim i organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, raporton Drejtësia Sot.
Konfirmimin e këtij lajmi për Drejtësia Sot, e ka bërë zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.
Drejtësia Sot, njofton se seanca e caktuar për datën 29 nëntor 2021, për këtë çështje penale ishte anuluar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, që për nder të festës së 28 nëntorit, dita e hënë të jetë ditë pushimi.
Kujtojmë se ky rast aktualisht është në fazën e dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve. Deri më tani 6 nga të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre me deklarim ndërsa 25 nga të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje. Kësisoj, në seancat e kaluara me deklarim ka dhënë mbrojtjen ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa, si dhe të akuzuarit Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Drita Bajrami-Kajtazi, Ganimete Kastrati dhe Hamdi Ismajli.
Ndërsa, të akuzuarit Avdyl Pireva, Fadil Osmani, Ibrahim Foniqi, Rrustem Hajdari, Mejdi Ahmeti, Enver Biqku, Skender Imeri, Asllan Mustafa, Agim Hoxha, Qemajl Latifi, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Naser Mehmeti, Asllan Asllani, Ramush Musliu, Shemsedin Qerimi, Fatmir Halili, Qefsere Sadriu-Limani, Basri Kqiku, Selvije Mustafa-Shefkiu, Selver Xhelili, Merita Canaj-Shabani, Naser Sylejmani, Asllan Syla dhe Zeqirja Fazliu kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Sipas aktakuzës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e bizneseve të cekura në aktakuzë.
Më tutje, aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarve, ku ndër të tjera thuhet se Qemajl Mustafa dhe të tjerët akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje kanë marrë pjesë në aktivitetet kriminale të keqpërdorimit, me dhënien e tenderëve fitimprurës kompanive, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve, etj, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.
Drejtësia Sot, në vazhdimësi e ka monitoruar rrjedhën e këtij rasti.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus