Shtyhet për janar gjykimi për korrupsion ndaj ish-sekretarit dhe tre zyrtarëve të MI-së

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

11:00 / 04 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Betim Reçica, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, për të dytën herë radhazi ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij dhe tre zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës (MI).

Betim Reçica, ish-sekretar i Përgjithshëm i MI-së dhe tre zyrtarët e kësaj ministrie Isa Berisha, Mirdit Emini dhe Leonora Limani, po akuzohen për korrupsion dhe shpërlarje të parave, raporton Drejtësia Sot.

Shkak i dështimit të shqyrtimit të sotëm gjyqësor ishte mungesa e të akuzuarit Reçica, i cili sikurse në seancën e kaluar mungoi për shkak të gjendjes shëndetësore.

Me të filluar gjykimi i sotëm, gjyqtari i rastit Musa Konxheli, njoftoi të pranishmit se përsëri ka pranuar një kërkesë për shtyrje të seancës nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Reçica, avokatit Florim Vërtopi.

Ndërsa avokati Vërtopi tha se i mbrojturi i tij sërish nuk mund që të jetë i pranishëm në gjykim, për çka edhe ka bashkangjitur dokumentacionin e nevojshëm mjekësor.

Në këto rrethana ky gjykim është shtyrë për 10 dhe 11 janar të vitit 2022, në të cilat seanca pritet të jepet fjala hyrëse e palëve dhe të fillohet me dëgjimin e dëshmitarëve të prokurorisë.

Ndryshe, të pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor ishin të gjithë të akuzuarit tjerë me mbrojtësit e tyre, përfaqësuesit e disa kompantive të cilat sipas aktakuzës janë të dëmtuar, si dhe prokurorja e prokurorisë speciale, Habibe Salihi.

Vlen të theksohet se Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktin akuzues të PSRK-së, duke potencuar në vendimin e saj se ankesat e mbrojtjes janë të pabazuara ndërsa pretendimet e tyre mbi provat, duhet të trajtohen gjatë shqyrtimin gjyqësor dhe jo në këtë fazë të procedurës penale.

Apeli vërtetoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi vlerësoi se i njëjti ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar, provat e kundërshtuara dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin PS.nr. 5/21 të datës 03.06.2021, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës nga të pandehurit, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për hudhje, dhe se nuk janë paraqitur të dhëna të mjaftueshme nga mbrojtja që do ta justifikonin hedhjen e aktakuzës në këtë fazë të procedurës. Gjykata kishte arsyetuar se është e domosdoshme që të marrin epilog shumë kontradikta të ngritura nga palët në këtë procedurë, për faktin se prokurorja e çështjes ka pretenduar se aktakuza është e bazuar mire, dhe se pas administrimit të të gjitha provave, do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale sipas diapozitivit të aktakuzës.

Në aktakuzën e ngritur me 15.02.2021, sipas Prokurorisë Speciale, është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri Betim Reçica, ka kryer veprat penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 i KPRK-së, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe “Shpëlarje e parasë” nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpërlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizmit.

Sipas aktit akuzues, shumica e këtyre veprave penale kishin të bëjnë me tenderin publik për ndërtimin e autoudhës së Gjilanit. Sipas aktit akuzues, Betim Reçica kishte ushtruar ndikim në anëtarët e komisionit vlerësues për ofertat e paraqitura në këtë tender, në mënyrë që fitues të shpallet një operator me çmim më të lartë sesa operatori që kishte ofruar një çmim më të ulët për ndërtimin e kësaj rruge.

Reçica gjithashtu akuzohet se në kundërshtim me vendimet e Qeverisë së Kosovës, kishte nxjerrë vendime me anë të së cilëvenë mënyrë të kundërligjshme kishte urdhëruar kompenzime shtesë për disa punonjës të MI. Aktakuza thotë se nga ky veprim, buxhetit të Republikës së Kosovës iu është shkaktuar dëm në vlerë prej rreth 85 mijë eurosh.

Ai poashtu akuzohen edhe për veprën penale të shpërlarjes së parave, pasi që gjatë vitit 2019, me qëllim që mjetet financiare të fituara nga aktiviteti kriminal të duken si të ligjshme, kishte blerë një veturë të tipit Audi F2 S7, i prodhuar në vitin 2019.

Ndërsa për të pandehurit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Aktakuza sqaron se Berisha në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rivlerësues në MI për ofertat e paraqitura për tenderin e autoudhës së Gjilanit, së bashku me të akuzuarit Limani e Emini si anëtar të këtij komisioni, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që nuk kanë shpallur fitues operatorët ekonomik që kishin ofertuar me çmimin më të ulët.

Në aktakuzë, është propozuar edhe konfiskimi i pasurisë, gjegjësisht vetura të tipit ”Audi” F2 S7 Sportback, ngjyrë e zezë, viti i prodhimit 2019’, e cila gjatë fazës së hetimit ka rezultuar të jetë pasuri e fituar me vepër penale nga i pandehuri Betim Reçica.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi