Cenet Zubani, e akuzuar për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë”, u dënua sot nga Gjykata Themelore në Prizren me dënim me gjobë prej 250 eurove, raporton Drejtësia Sot.
Gjithashtu, e akuzuara obligohet që të paguaj shpenzimet procedurale në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 30 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën 30 euro, në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Deri te ky vendim gjyqtari Fatmir Krasniqi erdhi pasi që paraprakisht gjatë seancës së sotme fillestare e akuzuara Zubani e pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren Cenet Zubani akuzohet se nga data 1 mars 2020 deri më 19 qershor 2020, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në cilësinë e zyrtares së lartë publike Prizren, ka vepruar në kundërshtim me nenin 1 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 pika 8 të Ligjit 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.
Tutje, aktakuza sqaron se si zyrtare publike e pandehura është e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrime financiare për periudhën e lartëcekur brenda afatit të përcaktuar ligjor, mirëpo edhe për kundër faktit se e pandehura ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë e njëjta nuk e ka bërë një deklarim të tillë.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast:
Monitoruar nga: Leutrim MAKSHANA
Lajmet në fokus