Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Gjakovë, është rihapur seanca fillestare ndaj të akuzuarit C.I, raporton Drejtësia Sot.
C.I., nga ana e Prokurorisë së Gjakovës, po akuzohet se për motive të panjohura e ka vrarë personin N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës, si dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.
Me të rihapur seancën, gjyqtari i rastit Drilon Haraçia, njoftoi se për ditën e sotme ishte caktuar shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale, mirëpo pas vlerësimit dhe analizimit gjykata ka konsideruar se duhet të rihapet shqyrtimi fillestar, kjo sepse me rastin e deklarimit të pranimit të fajësisë nga i akuzuari C.I., mbrojtësi i tij avokat Meriman Vehapi, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë, ndërsa në anën tjetër ka deklaruar se i mbrojturi i tij është i pallogaritshëm.
Andaj, pas revokimit të pranimit të fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit C.I., gjykata njoftoi se ndaj të akuzuarit C.I., janë bërë dy ekspertiza lidhur me ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit dhe po ashtu gjykata në seancën e sotme është ftuar edhe njëherë eksperti i psikiatrisë doktor Ajet Bunjaku, i cili do të njoftoj gjykatën lidhur me gjendjen mendore të akuzuarit.
Eksperti i psikiatrisë, doktor Ajet Bunjaku, deklaroi se pas shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor të sjellë nga qendra e paraburgimit të Pejës, kemi konstatuar se i akuzuari ka pasur përkeqësime dhe përmirësime të gjendjes mendore të tij të cilat sipas mendimit të ekspertit Bunjaku, i atribuohen konditave penale në të cilat gjendet.
Po ashtu, i njëjti deklaroi se i akuzuari C.I., është i vetëdijshëm i kupton arsyet se pse gjendet në gjykatë si dhe veprat të cilat i njëjti i ka kryer.
Pas deklarimeve të ekspertit Bunjaku, i akuzuari C.I., u deklarua përsëri fajtor për veprat penale për të cilat po ngarkohet.
Nën këto rrethana, gjykata aprovoi pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit C.I., duke caktuar datën 25 nëntor 2021, për shpalljen e aktgjykimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq, komuna e Gjakovës, i pandehuri C.I., me dashje, ka privuar nga jeta N.M., në shtëpinë e tij, ku përderisa i ndjeri ishte në dhomën e gjumit, i pandehuri e merr në kuzhinë një thikë e një çekan hekuri, ku e përdorë për ta hapur derën e dhomës, dhe e godet atë me thikë disa herë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Me këto veprime i pandehuri C.I., ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në dhomën e gjumit kishte qenë prezent edhe bashkëshortja e tij, D.M, ku i pandehuri e godet edhe atë me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Tutje, i akuzuari kishte shkuar edhe në dhomën tjetër ku ishte prezent djali i viktimës, M.M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime i pandehuri C.I., ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë për këtë rast
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus