Në Gjykatën Themelore të Pejës pranë Departamentin për Krime të Rënda, këtë të premte ka vazhduar rigjykimi ndaj Kreshnik Halitit, raporton Drejtësia Sot.
Haliti, akuzohet nga Prokuroria e Pejës, se ka vrarë në qendër të qytetit të Pejës shokun e tij, Mentor Zekaj, për shkak të një borxhi prej 77 mijë euro.
Në fillim të seancës së sotme u ftua për tu dëgjuar në cilësi të dëshmitares e dëmtuara M.Z. E njëjta sikurse edhe në seancën e kaluar deklaroi se nuk është në gjendje të dëshmojë për shkak të gjendjes së saj shëndetësore duke shtuar se nuk ka çfarë të thotë ndryshe nga deklarata e dhëna në shqyrtimet e mëhershme.
Lidhur me këtë çështje prokurorja Lumturije Vuçetaj, propozoi që dëshmia e dëshmitares të lexohet duke u nisur nga fakti që ajo i ka dorëzuar gjykatës raportin mjekësor për gjendjen e saj shëndetësore si dhe shtuar këtu faktin që e njëjta për këtë çështje penale ka dhënë katër herë deklarata.
Propozimi i prokurorisë u mbështet nga avokati i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku, ndërsa u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha.
Mbrojtësi Besnik Berisha, ndër të tjera tha se klienti i tij gëzon të drejtën për një gjykim të drejtë ndërsa pasi që ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues e refuzon leximin e çfarëdo dëshmie, ndërkohë që në fund propozoi që të ndryshohet rendi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe dëshmitares në fjalë ti ofrohet mundësia e deklarimit kur të jetë më e gatshme.
Kësisoj pas konsultimit trupi gjykues e refuzoi propozimin për tu lexuar dëshmia e të dëmtuarës ndërsa të njëjtën e njoftoi që në seancat e radhës duhet të deklarohet.
Tutje, gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit F.V., i cili tha se qëndron pas deklaratës së dhënë me herët për këtë çështje penale. Në pyetjet e prokurores Vuçetaj, dëshmitari tha se i ndjeri Zekaj, është gjetur i vdekur afër shtëpisë së tij. Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Haliti, avokatit Berisha, dëshmitari tha se ditën kritike nuk i kishte parë më herët as të akuzuarin as të ndjerin Zekaj. I pyetur nga avokati Berisha, nëse gjykata mund të konstatojë se i njëjti nuk e di se pse ka ndodhur ngjarja e ditës kritike, dëshmitari e pohoi, pasi që nuk e dinte pse ka ndodhur rasti e as kush ia kishte dëmtuar veturën e tij që ishte afër vendit të ngjarjes.
Në fund, Drejtësia Sot, njofton se ky gjykim do të vazhdojë me datën 16 nëntor 2021.
Kujtojmë se kjo çështje penale ka qenë duke u gjykuar nga gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, mirëpo që pas vdekjes së saj lënda i është ndarë gjyqtarit Murat Hulaj i cili ka cilësinë e kryetarit të trupit gjykues, ndërsa Musë Povataj dhe Sami Sharaxhiu kanë cilësinë e anëtarëve.
Vlen të përmendet se Gjykata Themelore në Pejë, në korrik të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Kreshnik Haliti, për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt dhe për armëmbajtje paleje, duke i shqiptuar dënimin unik prej 22 vite e 6 muaj burgim. Mirëpo, pasi aktgjykimi ishte ankimuar Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Drejtësia Sot, në vazhdimësi e ka monitoruar këtë rast.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus