Refuzohet kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e parashtruar nga i dënuari për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

16:09 / 17 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Gëzim Kryeziu, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, raporton Drejtësia Sot.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, gjykata e shkallës së parë, pas shqyrtimit të provave, kishte ardhur në përfundim se në veprimet e të dënuarit Gëzim Kryeziu formohen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ngase i dënuari edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se me veprimet e tij i tejkalon kompetencat e tij, sepse i njëjti ka qenë përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të testimit me shkrim për patentë shofer në cilësinë e ekzaminerit, me dashje ka tejkaluar kompetencat duke i treguar pyetjet e sakta kandidates- të dëmtuarës Sh.H., e cila nuk kishte njohuritë e duhura për kalimin e testit me shkrim për patentë shofer.

Edhe kolegji i Gjykatës Supreme ka konstatuar se në veprimet inkriminuese të të dënuarit G.K., përmbushen të gjitha elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.1 të KPRK, për çka nuk janë të bazuara as pretendimet për shkeljen e ligjit penal.

Sipas komunikatës, i dënuari në rastin konkret ka tejkaluar kompetencat e tij të përcaktuara sipas Ligjit nr.05/L-064 për patentë shofer, nga neni 60 dhe neni 15 i Udhëzimit administrativ nr. 14/2017 për dhënien e provimit për patentë shoferë me qëllim që të dëmtuarën ta kaloi në testin teorik për patentë shoferë në kundërshtim me kërkesat dhe kushtet e ligjit dhe udhëzimit administrativ për patentë shoferë.

Sipas kësaj dispozite, i dënuari si ekzaminer, është dashur që të ndërmerr të gjitha veprimet e parapara në këtë dispozitë, për të parandaluar kalimin e kandidatit pa njohuri përkatëse të testit teorik për patentë shoferë e jo të ndërmerrte veprimet direkte duke i treguar kandidates përgjigjet e sakta të testit teorik, kështu që i dënuari ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj.

Gëzim Kryeziu është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj si dhe i është shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimet publike në kohëzgjatje prej 3( tri) viteve, i cili do të fillon të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur nga prokurori Ibrahim Berisha, thuhet se i akuzuari Gëzim Kryeziu, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat, ashtu që kishte marrë instruksione nga i pandehuri tjetër Ekrem Zhegrova, në mënyrë që ti ndihmoj kandidates SH.H., në dhënien e provimit teorik për patentë shofer. Në aktakuzë është përfshirë edhe i akuzuari Ekrem Zhegrova, por që i njëjti akuzohej për pranim ryshfeti në sektorin privat, ashtu që derisa ishte duke punuar në “Money Gram” si arkëtar në afërsi të Qendrës së Patentë Shoferëve në Prishtinë është takuar me të dëmtuarën SH.H., kandidate për të ju nënshtruar provimit teorik për patentë shofer, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar nga e njëjta shumën prej 500 euro, me qëllim që e njëjta ta kaloj provimin duke i dhënë instruksione se si të veproj.

Për të akuzuarin Ekrem Zhegrova ka përfunduar një cikël i gjykimit, sepse i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij është shpallur aktgjykimi dënues me të cilin është gjetur fajtor dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohë zgjatje prej 1 viti dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro.

Drejtësia Sot në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast, link:

Monitorues Liridon Salihi