Prokuroria Themelore në Pejë, ka pushuar hetimet ndaj H.G., zyrtar i gjendjes civile në Vitomericë-Komuna e Pejës, i dyshuar për tre vepra penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar raporton Drejtësia Sot.
Sipas aktvendimit që posedon Drejtësia Sot, hetimet ndaj H.G, janë pushuar për shkak se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat ishte dyshuar-hetuar me aktvendimin për fillimin e hetimeve.
Tutje në vendim thuhet se veprimi i kryerjes së veprës penale falsifikimi i dokumentit zyrtar, qëndron në atë se “Personi zyrtar i cili në dokumentin zyrtar, në regjistër ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhënat e duhura apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rreme”, por prokuroria pas zhvillimit të hetimeve dhe vlerësimit të provave ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri H.G, me veprimet e tij ka kryer veprat për të cilat është hetuar.
Vlen të përmendet se këtë rast i dyshuar ka qenë edhe B.N., për veprat penale legalizim i përmbajtjes së rreme dhe vjedhje e identiteti dhe pajisja e qasjes, ku për këtë të fundit prokuroria i ka pushuar hetimet për arsye se koha e fillimit të kryerjes së kësaj vepre apo veprimi i ndërmarr është bërë në vitin 2018, vepër kjo e cila nuk është paraparë me kodin penal në atë kohë por tani edhe pse kodi i ri penal e parasheh këtë vepër penale prokuroria ka zbatuar ligjin me të favorshëm për të pandehurin siç edhe e parashohin dispozitat penale dhe për këtë arsye ka pushuar hetimet.
Ndërsa sa i përket veprës legalizim i përmbajtjes së rreme, për të cilën është hetuar B.N., prokuroria ka theksuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale për çka edhe është veçuar procedura.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus