Prokurori jashtë vendit, dështon shqyrtimi fillestar ndaj zyrtarit doganor të akuzuar për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

11:54 / 01 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këtë të hënë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës, ka dështuar mbajtja e seancës fillestare ndaj të pandehurve Veton Turjaka dhe Shefqet Gusturanaj, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria e Pejës, Turjakën në cilësi të zyrtarit doganor po e akuzon për dy vepra penale atë të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Marrjes së ryshfetit, ndërsa të pandehurin Gusturanaj e ngarkon me veprën Dhënie e ryshfetit.

Arsye e dështimit të seancës se sotme ishte mungesa e prokurorit të rastit Haxhi Sinanaj. Gjyqtari Sami Sharaxhiu, theksoi se prokuroi Sinanaj, përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në gjykimin e sotëm pasi që prej datës 01 deri me 06 nëntor gjendet jashtë vendit për arsyeje familjare.

Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore seanca u shtyje dhe e njëjta u caktua me datën 06 dhjetor 2021, duke filluar në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 07 shtator të këtij viti, i pandehuri Veton Turjaka akuzohet se me datën 08 mars 2020, rreth orës 10:20, në pikën kufitare në Kullë, të Komunës së Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitoj dobi pasurore.

Tutje në aktakuzë thuhet se në kohën dhe vendin e lartcekur shkon i pandehuri Shefqet Gusturanaj, i cili po e drejtonte automjetin “Mercedes” me rimorkio në të cilën kishte të ngarkuara gjësendet të ndryshme (motosharra, kositëse bari, biçikleta, etj), ashtu që i pandehuri Veton, në cilësinë e zyrtarit doganor nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet procedurave të kontrollit doganor, për çka edhe drejtuesi i automjetit përfiton duke mos paguar tatimet reale për atë sasi malli dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit në vlerë prej 225.00 euro. Me çka akuzohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në pikën e dytë të dispozitivit të kësaj aktakuze i pandehuri Turjaka, akuzohet se me datën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin e parë në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror për vete me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nga i pandehuri Shefqet Gusturanaj, kërkon e pastaj merr nga një bankënotë prej 50 euro, ashtu që malli që posedonte ky i fundit të mos i nënshtrohej kontrollit doganor, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit.

Ndryshe, aktakuza të pandehurin Shefqet Gusturanaj e ngarkon për veprën Dhënie e ryshfetit pasi që në kohën dhe vendin e lartcekur me qëllim të mos nënshtrimit të kontrollit doganor i ofron ryshfet zyrtarit doganor në atë mënyrë që me kërkesën e tij, vajza e tij V.G., e vendos në pasaportë një bankënotë prej 50 euro, të cilën ia jep të pandehurit Veton në zyrën e tij.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe për ngritjen e kësaj aktakuze.

Monitoruar nga Blerta Kelmendi