Përsëri dështon shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

14:00 / 15 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përsëri  ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës S.B., i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon ish-drejtorin e Muzeut të Kosovës, S.B., se ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij dhe ka mundësuar përfitim të dobisë pasurore kompanisë “Tiki” sh.p.k.

Mungesa e dëshmitarit A.B., ka rezultuar në mos plotësimin e kushteve për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, e për të cilin kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Alltën Murseli ka njoftuar se gjykata nuk ka prova që i njëjti është ftuar në mënyrë të rregulltë.

Andaj, në këto rrethana seanca e radhës është caktuar të mbahet me 03 dhjetor 2021 me fillim në orën 13:00.

Sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurorja Dulina Hamiti, i pandehuri S.B., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor i Muzeut të Kosovës, me dashje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetit apo tjetrit ti sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për Kompaninë ‘TIKI’ sh.p.k., në Prishtinë.

I pandehuri S.B., duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, ka anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit, ku me kompaninë e lartcekur me datë 16.01.2018 ka nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 208,894.00 euro, me datë 02.02.2018 kontratën për furnizim në shumë prej 39,706.00 euro, dhe me datë 23.04.2018 ka nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 20,840.00 euro, me vlerë totale 269,440.00 euro, me ç’rast i ka shkaktuar dëm buxhetit të të dëmtuarës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shumën e lartcekur.

Sipas Prokurorisë me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga: Elvira Rrahmani