Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës, Nebi B. Sheqiri, të cilit i ngarkohen veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyçi, është dhënë fjala përfundimtare e palëve në procedurë.
Prokurorja e shtetit Dulina Hamiti në fjalën e saj përfundimtare theksoi me administrimin e provave dhe dëshmive gjatë shqyrtimeve gjyqësore në mënyrë të pa dyshimtë dhe të plotë konsiderojmë se është vërtetuar se i akuzuari Nebi Sheqiri ka kryer veprat penale sipas aktakuzës.
Kjo gjendje është vërtetuar nga provat të cilat prokuroria i ka siguruar gjatë hetimit dhe i ka propozuar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe janë elaboruar nga prokurori i shtetit.
Andaj prokuroria mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe i propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit për veprat penale si ne aktakuzë.
Ndërkaq avokati Fehmi Shala, mbrojtës për të akuzuarin Nebi Sheqiri fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën në pika të shkurta e ka elaboruar në seancë, po ashtu ndër të tjera ka theksuar se kjo aktakuzë nuk përmban asnjë element të veprës penale.
Andaj i njëjti i ka propozuar gjykatës që për të mbrojturin tij të merr aktgjykim lirues. Në këtë drejtim trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Medie Bytyçi, Agim Kuçi dhe Ertan Sejfullah, shpallën të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor duke njoftuar se shpallja e vendimit për këtë çështje penale do të bëhet me date 15 nëntor në ora 11:00.
Sipas aktakuzës, të përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Dulina Hamiti, Nebi Sheqiri, në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kishte tejkaluar kompetencat e tij. Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës 2012-2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhjeje të rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, por që kryerësit nuk diheshin.
Të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009.
I pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik, i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më parë këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus