Përfundon dëgjimi i dëshmitarëve dhe bëhet administrimi i provave në gjykimin ndaj zyrtarit të Komunës së Drenasit i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

15:57 / 08 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Gëzim Shishani, i cili po akuzohet për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.

Gëzim Shishani po akuzohet për kryerjen e veprave penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ngase prej mesë 10 vite ka pranuar pagë me koeficient më të lartë sesa që është dashur në pozitën e Udhëheqësit të Personelit në Komunën e Drenasit.

Shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Xh.B, i cili deri në janar të vitit 2017 ka qenë drejtor i administratës së përgjithshëm të Komunës së Drenasit. I njëjti ka deklaruar se sa i përketë listave të pagës që vijnë nga Ministria e Administratës Publike, për të akuzuarin Gëzim Shishani, ajo listë për nënshkrim ka shkuar përmes zyrës së kryetarit të komunës, dhe se çfarë koeficienti të pagës ka pasur Gëzimi, ka deklaruar se nuk ka njohuri. Si dhe çdo koeficient që ndryshon bëhet me aprovimin e MPA-it dhe asnjë koeficient nuk mund të ndryshohet pa miratimin e tyre.

Në vijim është vazhduar me administrimin e provave materiale, së pari nga prokuroria e shtetit, e ndërsa mbrojtja ka deklaruar se kanë prova të reja por të njëjta do të ja paraqesim gjykatës në seancën e radhës.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla ka ndërpre seancën dhe të radhës e ka caktuar më datë 09 dhjetor me fillim nga ora 9:10 min.

Ndryshe, sipas aktakuzës të përfaqësuar nga prokurorja Dulina Hamiti, i pandehuri Gëzim Shishani në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht Udhëheqës i Personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit Nëntor të vitit 2008 në vazhdimësi deri në muajin Korrik të vitit 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme për vete në atë mënyrë që ka realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3 në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5, ashtu që vetit i ka sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumën e përgjithshme prej 13,454.94 euro, me ç ‘rast buxhetit të Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 13,454.94 euro.

Me këto veprime sipas Prokurorisë ka kryer ka kryer në vazhdimësi veprën penale Përvetësimi në detyrë nga neni 425 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Ndërsa për pikën dy të aktakuzës, i njëjti akuzohet për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së. Sipas kësaj pike, i akuzuari Shishani, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, nuk e ka zbatuar vendimin e Kryetarit të Komunës së Drenasit me numër të protokollit: 01-120-31869 të datës 19.06.2015, me të cilin vendim të pandehurit Gëzim i është ndryshuar koeficienti i pagës nga 11.3 në koeficientin 9.5, përshkruar si në pikën e lartë cekur të aktakuzës, me ç ‘rast buxhetit të Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 13,454.94 euro.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani