Përcillet me tensione dhënia e fjalës hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen me pagesë në Deçan

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Selvije Morina

15:55 / 02 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Pejë, sot ka vazhduar rigjykimin ndaj Bekim Rajës, Avni Sinanajt, Murat Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të akuzuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit në vitin 2014 në Deçan, raporton Drejtësia Sot.

Në shqyrtimin e sotëm pasi aktakuza u konsiderua e lexuar me pëlqimin e palëve në procedurë të akuzuarit u deklaruan përsëri lidhur me fajësinë.

Kështu përveç të akuzuarit Gjon Pnishi, i cili pranoj fajësinë për veprën penale ndihma në kryerjen e vrasjes së rëndë tre të akuzuarit tjerë Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj, mohuan fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

I akuzuari Avni Sinanaj deklaroi se nuk e ka pranuar aktakuzën e parë as këtë tani dhe asnjëherë nuk e pranon fajësinë pasi që nuk e ndjen veten fajtor kurse i akuzuari Murat, deklaroi se kurrë nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndryshe gjykata lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Pnishi, pas dëgjimit të palëve në procedurë morri vendim që të ia refuzoj pranimin e fajësisë të akuzuarit Pnishi, duke shtuar se gatishmëria për pranimin e fajësisë do ti merret si rrethanë lehtësuese në rastin e marrjes së vendimit mbi dënim.

Pas këtij momenti u dha fjala hyrëse nga ana e palëve në procedurë. Fillimisht fjalën hyrëse e dha prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, e njëjta deklaroi se lidhur me aktakuzën e përmirësuar kundër të akuzuarve në tërësi qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerës të veprave penale për të cilat akuzohen.

Tutje fjala hyrëse u dha nga mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj, i njëjti deklaroi se administrimit të provave gjykata do të bindet se aktakuza ka mbështetje në prova të bindshme dhe se e njëjta është ndërtuar nga dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues i krijuar si dëshmitar në kundërshtim me ligjin si dhe nga dëshmia e të akuzuarit Gjon Pnishi, të cilin gjykata më parë duke u bazuar në prova bindëse e ka dënuar për veprën penale të vrasjes së rëndë që për atë vrasje akuzohen tani tre persona tjerë.

Më pas mbrojtësi Lokaj, shtoi se sipas bindjes së mbrojtjes prokuroria dhe gjykata kanë krijuar një dëshmitar të rrejshëm i cili ka rol vendimtar në këtë çështje penale i cili sipas tij është dashur të jetë i bashkakuzuar në këtë rast dhe jo të pushohen hetimet ndaj tij.

Në fund të fjalës hyrëse Lokaj, deklaroi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor do të provohet se dëshmia e të akuzuarit Gjon Pnishi për të akuzuar të mbrojturin e tij Bekim Rajën dhe të akuzuarit e tjerë është me qëllim që ti shmang veprimet e tij kriminale të ndërmarra në raport me viktimën. Ndërsa në lidhje me dëshmitarin bashkëpunues d1, Lokaj shtoi se do të provohet motivi i tij për të gënjyer në raport me Bekim Rajën, i cili është munduar që ta shantazhoj Rajën dhe familjen e tij duke kërkuar haraç në të kundërtën do ta argumentoj dëshminë e rrejshme të akuzuarit Gjon, me qëllim të përfitimit material si dhe për shkak të benifiteve që ndaj tij të pushohen hetimet për një vepër penale të rëndë.

Prokurorja Disha-Haxhosaj, e kundërshtoi fjalën hyrëse të mbrojtësit Sylë Lokaj, duke deklaruar se nga ky moment e udhëzon mbrojtësin që të paraqes kallëzim penal ndaj prokurores dhe gjyqtari në rast që ka fakte lidhur me deklarimin se dëshmitari bashkëpunues është dëshmitar i rrejshëm i cili në mungesë të provave është krijuar nga prokuroria dhe gjykata.

Disha-Haxhosaj, deklaroi se lë të hapur mundësin për paraqitjen e padisë për shpije nga ana e mbrojtësit për dëshmitarin bashkëpunues pasi që nuk mund të lejoj që të cenohet prokuroria dhe gjykata.

Gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga mbrojtësja e të akuzuarit Avni, avokatja Kosovare Kelmendi, e njëjta deklaroi se jemi në vitin e 7 nga vrasja e Ferdinand Gjinit, e që ekziston vetëm një fakt që palët në procedurë në asnjë mënyrë nuk mund ta kontestojnë e ai është vrasja e të ndjerit Gjini. Kurse lidhur me përmirësimin e aktakuzës në të cilën thirret tani prokuroria do të bindeni se e njëjta e ka ndryshuar substancialisht gjendjen faktike lidhur me veprimet e të akuzuarit Avni. Avokatja Kelmendi, shtoi se gjatë këtij shqyrtimi nuk pret asgjë të re nga procedimi i 16 dëshmitarëve por nga prokuroria pret që të ofroj prova me të cilat e mbështet ndryshimin faktik të dispozitivit të aktakuzës lidhur me të mbrojturin e saj i cili përshkrim nuk ka ekzistuar jo vetëm para 7 viteve por as me rastin e besimit të dëshmisë së të akuzuarit Gjon dhe dëshmitarit bashkëpunues d1.

Kelmendi në fjalën hyrëse shtoi se edhe pse dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues d1 nuk e afekton të mbrojturin e saj e përkrah mendimin e kolegut të saj avokatit Lokaj, duke deklaruar se është bërë shkelje flagrante respektivisht janë mbyllur sytë para dispozitave ligjore ndërsa lidhur me masën e paraburgimit kërkoj nga gjykata dhe prokuroria që të shqyrtojnë kërkesën e saj që të mbrojturit të saj ti zëvendësohet kjo masë me atë të arrestit shtëpiak sepse si i akuzuari Avni edhe i akuzuari Gjon, ngarkohen për vepër penale të njëjtë dhe në këtë gjykim janë të barabartë andaj gjykimi do të ishte i drejtë nëse masa për sigurinë fizike të të akuzuarve në procedurë të jetë e njëjtë pa marr parasysh pranimin apo jo të fajësisë.

Ndryshe i akuzuar Avni Sinanaj, deklaroi se përkrah fjalën hyrëse të mbrojtëses së tij por shtoi se prokurorja e ka ftuar që të bashkëpunojnë ndërsa që 5 vite që është në paraburgim e njëjta deklaron se jam fajtor duke pyetur prokuroren se për çfarë bashkëpunimi e ka pasur fjalën dhe çfarë iu ka dashur bashkëpunimi i tij nëse ka pasur prova për ngritje të aktakuzës.

Lidhur me deklarimin e të akuzuarit Avni, u kundërpërgjigj prokurorja Vabona Disha-Haxhosaj, duke deklaruar se bashkëpunimi ja ka ofruar vetëm në baza ligjore për dëshmitar bashkëpunues siç ka vepruar edhe me të akuzuarin Gjon Pnishi.

Në fund fjalën hyrëse e dha mbrojtësi i të akuzuarit Murat, avokati Gëzim Kollçaku, i cili deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor pas dëgjimit të 16 dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria dhe pas dëgjimit të dëshmitarit bashkëpunues d1, të cilit prokuroria në tërësi ja ka falur besimin dhe si shpërblim se e ka folur të vërtetën janë pushuar hetimet ndaj tij do të vërtetohet se asnjeri nga këta nuk e ka përmendur emrin e të mbrojturit të tij. Kollqaku shtoi se aktakuza është ngritur vetëm në bazë të dëshmisë së të akuzuarit Gjon Pnishi dhe nëse merren parasysh të gjitha provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës asnjëra nuk do ta vërtetoj se i mbrojturi im është kryes i veprës penale me të cilën ngarkohet andaj edhe do te lirohet në mungesë të provave.

Lidhur me fjalën hyrëse të avokatëve Sylë Lokaj dhe Gëzim Kollqaku u deklarua prokurorja Disha-Haxhosaj, duke shtuar se ndihet e befasuar me fjalët hyrëse të dhëna nga të njëjtit sepse njëri ka përvojë të gjatë si gjyqtar ndërsa tjetri si prokuror. Kështu lidhur me deklarimin e mbrojtësit Lokaj, se prokuroria dhe gjykata kanë krijuar dëshmitar të rrejshëm i vjen keq nëse niset nga përvoja e tij si gjyqtar ndërsa lidhur me deklarimin e avokatit Kollqaku, se prokurorja e ka shpërblyer me pushimin e hetimet dëshmitarin bashkëpunues d1, Disha-Haxhosaj, tha se iu besoj i dini benificionet që ligji ia jep dëshmitarit bashkëpunues e jo prokurorja sepse nuk shpërblen njerëz por e zbaton ligjin.

Tensionet në sallë u ngritën kur prokurorja deklaroi se e kundërshton dhe kërkon nga gjykata ta refuzoj propozimin e avokates Kelmendi lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë për të akuzuarin Avni dhe pasi që përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar deklaroi se në rast që njëri nga të akuzuarit lirohet nga paraburgimi e ndjen vetën të kanosur dhe rrezikuar dhe nuk ka dëshirë të shihet me ta pasi që para këtij rasti ka pasur atentat për vrasje nga po këta persona.

Më pas ishte i akuzuari Avni që deklaroi se sipas prokurores dhe palës së dëmtuar gjykata ndaj tij duhesh të marr vendim me burgim të përjetshëm pasi që qenka i rrezikshëm për të gjithë vendin.

Polemikat vazhduan në mes të akuzuarit Bekim dhe prokurores kështu kryetari i trupit gjykues Sami Sharaxhiu, ndërpreu seancën duke iu tërhequr vërejtjen palëve se në seancën e radhës që pritet të mbahet me datën 4 nëntor 2021, nuk do të i lejoj këto sjellje.

Aktakuzën lidhur me cështje mund ta gjeni në këtë link

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast

Monitoruese Selvije MORINA