Pas më shumë se 17 muaj caktohet seanca e rigjykimit në rastin ku u konfiskuan rreth 1 milion euro

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

15:33 / 23 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është caktuar për 24 dhe 25 nëntor seanca e rigjykimit ndaj Fatlum e Mirsad Sopjani, të akuzuar për shpërlarje të parave, raporton Drejtësia Sot.

Rasti i cili është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme në qershor të vitit 2020, kishte mbetur në sirtarët e Departamentit për Krime të Rënda të kësaj gjykatë pa u caktuar, deri tash vonë kur me një vendim të kryetarës së kësaj gjykate ky departament ka bartur në Departamentin Special të gjitha lëndët aktakuzat e të cilave janë ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Për Drejtësia Sot është shqetësuese fakti që kanë kaluar mëse 17 muaj dhe kjo lëndë ende nuk ka fillur të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pa marrë parasysh organizimit të brendshëm të kësaj gjykatë, konsiderojmë se një afat kaq i gjatë është shkelje e parimit të gjykimit të drejtë dhe brenda afatit sa më të arsyeshëm.

Ndonëse Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës (KPPRK), në nenin 440 të tij ka paraparë kthimin e lëndës në rigjykim në shkallë të parë dhe procedurën që duhet ndjekur kjo gjykatë pas marrjes se vendimit nga Gjykata Supreme, ky nen nuk ka paraparë ndonjë afat kohor për trajtimin e çështjes pas kthimit në rigjykim.

Parimisht në interpretimin e këtij neni rezulton se në shqyrtimin gjyqësor vlejnë të njejtat rregulla sikurse janë zbatuar në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, e te cilat rregulla nuk i kanë paraprirë anulimit të vendimit nga gjykata e shkallës së dytë.

Nëse e analizojmë dispozitën e nenit 314, par.1 nënpar. 1.2., rezulton se shqyrtimi gjyqësor i cili mbahet para trupit gjykues në përbërje prej 3 anëtarësh duhet të përfundohet brenda 120 ditësh.

Këtë afat ligjvënësi e ka paraparë për qëllim të azhurnimit të rrjedhës së shqyrtimit në mënyrë që gjykimi të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm.

E në rastin konkret nëse konsiderohet se ky afat fillon të rrjedhë pas kthimit në rigjykim, që i bie qershori i vitit 2020, janë bërë më tepër se një vit nga kthimi në rigjykim por nuk është mbajtur asnjë seancë.

Ky rast paraqet një shembull adekuat të shkeljes së parimit të gjykimit në kohë të arsyeshme, i cili është paraparë me nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 5 të KPPRK.

Këto dispozita përcaktojnë qartë se gjykimi duhet të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm, e që nuk ka ndodhur në rastin konkret ngase aktakuza daton qysh nga dhjetori i vitit 2017.

Sipas aktakuzës të pandehurit Fatlum e Mirsad Sopjani, në periudhën kohore 21.02.2017-30.07.2017, edhe pse e kanë ditur apo kanë pasur arsye shumë të forta për ta ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal, dhe me qëllim të fshehjes apo maskimit, të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes, ose pronësisë së pasurisë, kanë pranuar transfere ndërkombëtare, mjete këto të rrjedhura nga aktivitetet kriminale, nga personat e dyshuar Kim David Rasmussen dhe Dennis Sodelius Lindberg, ku me qëllim të pastrimit të parave, së pari kanë regjistruar biznesin me emër ‘NICUMA’, si bashkëpronar të katërtit, kanë hapur xhirollogari e pastaj në atë xhirollogari kanë pranuar mjete monetare, nga kompania ilegale (fictive) e quajtuar ‘One Life Network Limited’, nga vendi i quajtur Belize, fakti se parat rrjedhin nga aktiviteti kriminal, pranimii mjeteve nga një biznes diktic, si dhe dënimi që i është bërë Kim Rasmusen në Danimarkë, me burg dhe gjobë, për vepra penale, shmangie nga tatimi dhe vepra të tjera penale, shuma e shpërlarjes është 1,823,413.46 euro. Me këtë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale Shperlarje parash nga neni 308 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe neni 32 par.2 nënpar.2.1 dhe 2.2., i ligjit për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë me aktgjykimin PKR.nr.398/2017 të datës 28.03.2019, kishte shpallur fajtor F.S., dhe M.S., për shkak të veprës penale si bashkëkryerës ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 308 i KPRK-së dhe nenit 32 par.2 nënpar.2.1 dhe 2.2., të Ligjit për parandalimin e shpërlarjes se parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të njejtëve gjykata e shkallës së parë, secilit vec e vec, u kishte shqiptuar dënim më burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve me kusht që të njejtit të mos ekzekutohen nëse të dënuarit brenda periudhës verifikuese prej 2 vite nuk kryejnë vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 5000 euro.

Ndaj të njejtëve gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues ashtu që u konfiskuar shuma prej 946,820.84 euro si rezultat i përfitimit nga kryerja e veprës penale. Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.11/2019, të datës 23.12.2019, kishte ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas detyrës zyrtare përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale, ashtu që ka gjetur se në veprimet e të dënuarve janë plotësuar të gjitha elementet e e veprës penale si bashkëkryerës ‘Shpërlarja e parasë’ nga neni 308 të KPK, dhe nenit 56 par.1 pika 1.1 dhe 1.2 të Ligjit mbi parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimin e terrorizimit e lidhur me nenin 31 të KPK, ndërsa e ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin PML.nr.136/2020, të datës 15.06.2020, kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e F.S., dhe M.S., duke anuluar kështu vendimet e marrë nga gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë, e duke kthyer kështu cështjen në rigjykim shkallës së parë.

Gjykata Supreme kishte gjetur se në rastin konkret në aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë dhënë arsye të duhura ligjore se me çka është vërtetuar se të dënuarit kanë qenë apo është dashur të jenë në dijeni për burimin e paligjshëm të parave të transferuara.

Drejtësia Sot edhe njëherë shpreh shqetësimin e saj për periudhat e gjata kohore të mbajtjes së lëndëve nëpër sirtare pas kthimit të tyre në rigjykim, duke iu bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që rastet e kthyera në rigjykim të caktohen dhe trajtohen sa më shpejt që është e mundur çdoherë duke pasur parasysh rekomandimet e gjykatave më të larta nga të cilat lëndët janë kthyer në rigykim.

Shkruar nga Donjeta Pllana.