Në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda sot ka filluar rishtazi gjykimi i Ish-Kryetarit të Komunës së Gjakovë, Pal Lekës, Gani Ramës, Ismet Isufit dhe Veli Hajdaragës, raporton “Drejtësia Sot”.
Ish-kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, së bashku me Ismet Isufi dhe Gani Rama, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, po akuzohet për mashtrim me subvencione.
Seanca sotëm filloi me fjalën hyrëse të prokurorit Atdhe Dema i cili deklaroi se kjo akuzë është vërtetuar edhe më parë nga kjo gjykatë dhe nuk ka ndonjë ndryshim apo përmirësim konkret.
Madje, prokurori Dema theksoi se kjo akuzë ka përshkrimin e plotë faktik dhe është e përpiluar në përputhje të plotë me rrethanat dhe faktet që përbëjnë veprat penale për të cilat të akuzuarit po gjykohen. Po ashtu, ai deklaroi se kjo akuzë gjen mbështetje të fuqishme në të gjitha provat e propozuara në të, ku sipas prokurorit këto prova kanë mbështetje të plotë në dispozitat adekuate të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj në fjalën e tij hyrëse deklaroi se kjo akuzë i ka lënë përshtypje të hidhur të mbrojturit të tij si dhe mosbesim në veprimet e prokurorisë, kjo sepse prokuroria ka hetuar në mënyrë selektive dhe në mënyrë jo të barabartë me punonjësit tjetër. Një gjë të tillë, sipas Dodes e ka vërtetuar Gjykata e Apelit në vendimin e saj të fundit.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci në fjalën e tij hyrëse deklaroi se ky rast sipas të mbrojturit të tij është bërë për motive të pastra politike.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufit, avokati Bajram Morina deklaroi se në këtë aktakuzë nuk ka asnjë veprim inkriminues ndaj të mbrojturit të tij. Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Apelit e vërteton më së miri këtë gjë.
Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaragës, avokati Agim Muhaxhiri ka dhënë fjalën e tij hyrëse duke deklaruar se ngelet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë pranë kësaj gjykate.
Pas fjalës hyrëse të palëve në procedure gjykimi vazhdoi me propozimin e prokurorit Dema, i cili i propozoi gjykatës që të mos ftohen edhe një herë të gjithë dëshmitarët, por të bëhet leximi i deklaratave të tyre.
Andaj, duke qenë se edhe mbrojtësit e të akuzuarve kishin të njëjtin mendim me prokurorin, gjykata aprovoi propozimin e palëve në procedure duke lexuar të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhënë në shqyrtimin e kaluar.
Ndërsa, në lidhje me ekspertizën e bërë nga ana e prokurorisë speciale nga eksperti Qazim Hoxha, prokurori Dema deklaroi se mbetet pranë asaj ekspertize. Kurse, sa i përket dy ekspertizat tjera atë të Riza Blakes dhe super ekspertizën e bërë nga ana e tre ekspertëve të fakultetit ekonomik, i njëjti theksoi së kjo është çështje e gjykatës që të vendos lidhur me ftesën e grupit të eksperteve.
Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri deklaruan se nuk ka nevojë që të ftohen edhe njëherë ekspertet, por vetëm të bëhet leximi i ekspertizave.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, avokati Bajram Morina i propozuan gjykatës që ekspertiza e bërë nga ana e të ndjerit Qazim Hoxha të përjashtohet si provë.
Pas kësaj, gjykata refuzoi propozimin e dy avokateve Arianit Kocit dhe Bajram Morinës lidhur me përjashtimin e ekspertizës së bërë nga ana e ekspertit Qazim Hoxha.
Mirëpo, trupi gjykues duke vepruar sipas detyrës zyrtare dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit merre aktvendim që seancën e radhës të ftohen grupi i ekspertëve të fakultetit ekonomik lidhur me sqarimin e kësaj çështje. Po ashtu, nga Kuvendi i Komunës së Gjakovës-Zyra për Burime Njerëzore të kërkohet në mënyrë zyrtare se kur është emëruar si zyrtar kryesor financiar i akuzuari Gani Rama.
Andaj, seanca e radhës u caktua me 13 dhjetor 2021.
Ndryshe, lidhur për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës me 10 prill 2018,kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekajt dhe të tjerëve.
Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.
Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.
I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.
Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato. Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me 26 maj 2016, kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Gani Ramës, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.
Aktakuza më tutje shpjegon se kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta. Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të ketë qenë 218.956.67 euro.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më parë këtë rast:
MONITORUESE: QENDRESA BYTYQI
Lajmet në fokus