Nesër pritet të fillojë rigjykimi ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës dhe tre zyrtarëve tjerë të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

14:19 / 30 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pas më shumë se pesë muaj pas kthimit në rigjykim, nesër në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti dhe tre zyrtarëve komunal, Gëzim Lajqi, Gëzim Shala dhe Ruzhdi Zhara, raporton Drejtësia Sot.

Gjykata e Pejës e ka caktuar 1 dhjetorin si datë për ta mbajtur seancën gjyqësore ku pritet ta fillojë rigjykimin për këtë çështje penale.

Kujtojmë se katër zyrtarët e kësaj komune akuzohen nga Prokuroria e Pejës, se kanë keqpërdorur kompetencat e tyre ligjore lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial në Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës, duke i shkaktuar dëm Komunës së Pejës, në vlerë prej 9.929,41 euro.

Ndërsa biznesmenin Ilir Kelmendi, akuzohet për veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, i cili kishte paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 euro.

Vlen të përmendet se të akuzuarit në mars të këtij viti ishin dënuar nga Gjykata e Pejës, kështu të akuzuarit Sheremeti, gjykata i kishte shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 6 muaj i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 7000 mijë euro të cilat obligohej ti paguaj në afat prej 3 muajve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndaj Sheremetit, ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kurse ndaj të akuzuarve Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, ishte shqiptuar dënimi me burgimi me kusht në kohëzgjatje prej 6 muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se të njëjtit nuk kryejnë vepër të re penale brenda periudhës 1 vjeçare.

Ndryshe i akuzuari Ilir Kelmendi, ishte dënuar me 6 muaj burg efektiv si dhe me dënim me gjobë në shumën prej 2000 mijë euro. Kështu dënimi me burg me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 5000 mijë euro të cilat obligohej ti paguaj në afat prej 3 muajve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Mirëpo, ky rast është kthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, në maj të vitit 2021, si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas kësaj gjykate, ky vendim nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 par.7 lidhur me nenin 365 të KPPRK-së.

Drejtësia Sot, ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast,

Monitoruese Selvije MORINA