Departamenti për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka liruar nga dy pikat e akuzës Nebi B. Sheqirin, i cili akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”, raporton Drejtësia Sot.
Sheqiri akuzohej se si zyrtar policor nuk e kishte dorëzuar në prokurori kallëzimin penal shtesë.
Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Medie Bytyqi, Agim Kuçi dhe Ertan Sejfullah, theksuan se në bazë të provave të prezantuara nga Prokuroria nuk është arritur të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Pasi që me asnjërën prej provave të administruar nuk është arritur të provohet dashja apo dijenia, po ashtu as cili është përfitimi apo çfarë është premtuar të fitohet nga ana e të akuzuarit.
E këto ishin disa nga arsyet e trupit gjykues e të cilat më gjerësisht gjykata do ti theksoj në aktgjykimin në formë të shkuar.
Kujtojmë se sipas aktakuzës, të përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Dulina Hamiti, Nebi Sheqiri, në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës 2012-2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhjeje të rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, por që kryerësit nuk diheshin.
Të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009. I pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik, i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më parë këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus