Pranë Gjykatës Themelore në Pejë, sot është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Xhevat Blakaj, roje në Burgun e Dubravës i akuzuar për vepër penale ushtrim ndikimi raporton Drejtësia Sot.
Blakaj, akuzohet nga Prokuroria e Pejës, se ka marrë 2 mijë euro për ta transferuar një të dënuar nga pjesa e mbyllur e burgut ne pjesën gjysmë të hapur.
Në shqyrtimin e sotëm pasi që u lexua aktakuza nga ana e prokurores Sahide Gashi, i akuzuari Xhevat Blakaj deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë dhe se këtë pranim e bënë me vullnet të plotë pa ndikim nga askush.
Më pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Blakaj, u pajtua prokurorja Gashi, e cila deklaroi se ky pranim ka mbështetje në provat e aktakuzës të cilat vërtetojnë se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Salih Mekaj, deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij sepse i njëjti është në pajtim me ligjin dhe provat në aktakuzë tutje shtoi se pranimin e fajësisë i akuzuari e ka bërë me vullnetin e tij si dhe i motivuar nga gjendja shëndetësore pasi që qëndrimi në paraburgim i’a ka keqësuar gjendjen.
Avokati Mekaj, paraqiti edhe kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit për të mbrojturin e mirëpo një gjë e tillë u refuzua nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, e cila konstatoi se ndaj të akuzuarit vazhdohet paraburgimi edhe për 10 ditë deri në një vendim të radhës.
Gjyqtarja Husaj-Rugova, po ashtu konstatoi se e ndërpren seancën e sotme për ta vazhduar me 22 nëntor 2021, nën arsyetimin se është e nevojshme të bëhet vlerësimi i provave lidhur me pranimin e fajësisë si dhe të ftohet pala e dëmtuar në këtë çështje penale.
Sipas aktakuzës Blakaj akuzohet se me datën 20.08.2021, në Istog, në parkingun e Restaurantit “Trofta”, kërkon dhe pranon përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të pa drejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që kur T.H, së bashku me nënën e saj Sh.H, këtu dëshmitare kishin shkuar për vizitë tek vëllai i saj A.H, këtu i dëmtuar i cili ishte në vuajtje të dënimit në këtë qendër, ku ky i fundit iu kishte thënë se një oficer me emrin Xhevat po i kërkonte shumën prej 2.000 (dymijë) euro me kusht që ta transferonte nga pjesa e tipit të mbyllur në pjesën e burgut të tipit gjysem të hapur dhe sipas porosisë së të pandehurit, ju japë numrin e tij kontaktues. Meqë e njëjta nuk i kishte këto të holla sepse sipas saj edhe më herët ishin të detyruar të paguajnë në këtë formë për ta liruar vëllaun me kusht lajmërohet policia e cila e mban nën vëzhgim dhe kur i pandehuri e kontakton dëshmitaren T.H, dhe sipas marrëveshjes takohen dhe pijnë kafe me të njëjtin dhe dëshmitaren Sh.H, në Restaurantin “Freskia”, në Istog, sipas sugjerimeve të të pandehurit të gjithë hyjnë në veturën e dëshmitares T.H., të cilën po e drejtonte afër saj ulet dëshmitarja Sh.H., gjersa i pandehuri ulet në ulëset e pasme të veturës dhe shkojnë në parkingun e Restorantit “Trofta”, pasi dëshmitarja T.H, ia numëron dhe dorëzon shumën e të hollave të kërkuara e pasi i njëjti i merr del nga vetura, ku ndalohet nga policia të cilit të hollat në fjalë ia gjejnë në xhepi e përparmë të djathtë të pantollave dhe ia konfiskojnë këto të holla të siguruara nga Fondi i fshehtë i policisë, që ishin fotografuar dhe regjistruar numrat serik me herët.
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus