Mungojnë Prokurori dhe dy nga të akuzuarit, dështon të mbahet seanca për krim të organizuar lidhur me armë

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

13:47 / 30 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj 6 të akuzuarve për krim të organizuar lidhur me veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, raporton Drejtësia Sot.

Shpëtim Begolli, Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasa Steviq, Jashar Jashari dhe Sami Qehaja, akuzohen se duke vepruar si grup kriminal kanë transportuar armë dhe municione nga Serbia për në Kosovë me qëllim shitjen e tyre paautorizim.

Arsye për shtyerjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve Rasa Steviq për të cilën gjykata kishte pranuar fletëkthesën si adresë e panjohur, si dhe i akuzuari tjetër Jashar Jashari i cili kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Ndryshe në këtë seancë nuk ishin të pranishëm as përfaqësues të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të cilët ishin njoftuar më kohë për këtë seancë.

Tutje në këtë seancë nuk prezantuan as avokati Halil Palaj mbrojtës për të akuzuarin Besim Begolli, i cili ftesën e kishte pranuar në mënyrë të rregulltë ndërkaq mungesën nuk e kishte arsyetuar.

E as avokati Ramiz Krasniqi mbrojtës për të akuzuarin Fehmi Begolli i cili sipas të mbrojturit të tij ndodhet jashtë vendit.

Në këtë drejtim në mungesë të kushteve ligjore gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj, seancën e radhës e caktoi për datë 25 janar me fillim nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës të pandehurit Shpëtim Begolli, Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviq, Vladica Miladionoviq, dhe Jashar Jashari, gjatë periudhës kohore prej 09.09.2013 deri me 05.12.2013 me dashje dhe me dijeni e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim ndërmjetësim, blerje dhe shitje të paautorizuar të armëve, në atë mënyrë që duke marrë instruksione dhe udhëzime nga i pandehuri Shpëtim Begolli i cili nga burgu i Dubravës ku është duke vuajtuar dënimin nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me të tjerët dhe ka menaxhuar veprimtarinë mbi furnizimin dhe shpërndarjen e armëve të zjarrit si dhe municionit për to.

Tutje aktakuza thekson llojin dhe sasinë e armëve dhe municionit të cilët të pandehurit Rasha Stevic dhe Vlladica Milladinovic nga Republika i Serbisë i kishin sjellë për në Kosovë me qëllim që t’ua shësin të pandehurve Fehmi e Besim Begolli.

Me këto veprime i pandehuri Shpëtim Begolli akuzohet për veprën penale ‘Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 283 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ nga neni 372 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërkaq që të pandehurit Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Stevic, Vladica Miladinovic dhe Jashar Jashari, kanë kryer veprën penale ‘Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 283 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ nga neni 372 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse i pandehuri Sami Qehaja akuzohet për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 374 par.1 i KPRK-së, ngase që prej periudhës kohore të pavërtetuar e deri më 16.04.2014 në shtëpinë e tij, pa leje valide të organit kompetent ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pushkë gjuetie dhe fishekë të ndryshëm.

Monitoruar nga Donjeta Pllana.