Lexohen pjesërisht provat materiale në gjykimin ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo dhe të tjerëve të akuzuar për keqpërdorim detyre

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

14:42 / 23 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të kësaj ministrie, Nenad Rikallo dhe shtatë zyrtarëve tjerë, sot është zhvilluar procedua e leximit të provave materiale të gjendura në shkresat  e lëndës, raporton Drejtësia Sot.

Në rastin e njohur si ‘Grantet’, ish-ministri Rikallo së bashku me Kapllan Halimin, Shefki Zeqirin, Ekrem Gjokën, Shkelzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin, po akuzohen se kanë bashkëvepruar në dhënien e granteve në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 4 milion euro.

Në seancën e udhëhequr nga gjyqtari i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari, sot filloi leximi I provave materiale siç gjenden në shkresat e lëndës, duke iu dhënë mundësia mbrojtjes që të paraqesin vërejtjet mbi përmbajtjen e tyre.

Pasi u bë leximi i këtyre provave materiale, mbrojtja e të akuzuarëve në fjalë parashtruan propozime të reja të provave materiale dhe kërkuan që ato të administrohen dhe të lexohen në këtë process gjyqësor.

Lidhur me këto propozime prokurorja Habibe Salihi I kërkoi trupit gjykues që para se të vendoset për leximin apo jo të tyre t’I jepet kohë që të shqyrtoj përmbajtjen e tyre.

Pas këtij momenti trupi gjykues vendosi që ta ndërpres seancën dhe të radhës ta caktoi për date 22 dhjetor 2021, ora 9  e 30 minuta.

Kujtojmë se sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedura të rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR.

Po ashtu, më 26.03.2018 në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç’rast edhe programin e dorëzon vetë, të përfunduar, (ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht).

Ndërsa, i pandehuri Kapllan Halimi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive të ndryshme. Aktakuza thotë se ai ka emëruar grupin punues në përbërje prej 11 anëtarësh për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri Nenad Rikallo.

Tutje sipas aktakuzës i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013. Aktakuza pretendon se këto veprime janë ndërmarrë duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin për formimin e grupit punues, i cili do të bënte kontrollin administrativ, vlerësimin, miratimin dhe kontraktimin e projekteve të masës së infrastrukturës rurale, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhej të formohet nga drejtori, të monitorohej nga drejtori dhe të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural. Kështu që, i pandehuri Ekrem Gjoka, me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të ndryshme në mënyrë të kundërligjshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri u’a kishte dorëzuar draftin e gatshëm. 

Aktakuza thotë se këta të pandehur duke vepruar në ketë mënyrë, buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milion euro. Me këto veprime të pandehurit Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, Shklezen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, më 14.08.2018, në bashkëveprim si persona zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme i kanë mundësuar përftim të kundërligjshme disa kompanive, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018, për zbatimin e programit te veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. Prandaj, sipas aktit akuzues ata në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku