Drejtësia Sot, bën të ditur se është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë së Gjakovës, në rastin ku ish drejtori i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, Benard Frrokaj, po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai, nga ana e Prokurorisë së Gjakovës, po akuzohet se ka bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës. Lajmin për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar gjyqtari i rastit Shaqir Zika.
I njëjti ka theksuar se i akuzuari Frrokaj së bashku me mbrojtësin e tij, nuk kanë paraqitur kërkesën për hedhjen e aktakuzës si dhe kundërshtimet e tyre në afatin e paraparë me ligj, duke bërë kështu që aktakuza ndaj të akuzuarit Bernard Frrokaj, të konfirmohet përfundimisht. Ndryshe, në aktakuzën e ngritur më 21 korrik 2021, sqarohet se si i akuzuari Frrokaj, në kohë të pacaktuar duke vepruar si person zyrtar konkretisht në cilësinë e drejtorit të drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme.
Kështu, në vazhdim të kësaj aktakuze theksohet se i akuzuari Bernard Frrokaj, i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës V.K., në atë mënyrë që i njëjti ka marrë vendim për transferim të përhershëm të mësimdhënëses V.S., në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit pa i përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.
Aktakuza më tutje sqaron se ky vendim i marrë nga ana e të akuzuarit rreth një vit para pensionimit të ish mësimdhënëses M.X., me të cilin vendim ka shkelur të drejtat e parapara nga kontrata kolektive e arsimit në Kosovë, për të dëmtuarën V.K., e cila kishte ligjëruar si mësimdhënëse zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e cekur më lartë, e sistemon në vendin e punës të V.S., në fshatin Hereq të komunës së Gjakovës. Për këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 parag.1 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruese: JETA VULA
Lajmet në fokus