Seanca gjyqësore në gjykimin për krim të organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve ishte caktuar për tu mbajtur në objektin e Kuvendit Komunal të Pejës, duke filluar prej orës 09:30, mirëpo kjo nuk ndodhi.
Kështu pasi që salla e Kuvendit Komunal të Pejës, ishte e zënë për shkak që sot ishte caktuar seanca inauguruese, raporton Drejtësia Sot.
Edhe përkundër përpjekjeve të Gjykatës së Pejës për ta ndërruar lokacionin e mbajtjes së seancës dhe atë duke i udhëzuar palët për në sallën e Kinos “Jusuf Gërvalla”, as këtu nuk vazhdoi seanca pasi që kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, më të hyrë në sallën e kësaj kinemaje konstatoi se e njëjta nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e gjykimit. Në këtë drejtim gjykatësja Kukaj-Mekaj, theksoi se kjo seancë do të mbahet në të njëjtën ditë duke filluar prej orës 13:00, në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës.
Vlen të përmendim se ky gjykim gjendet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e bizneseve të cekura në aktakuzë. Më tutje, aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarve, ku ndër të tjera thuhet se Qemajl Mustafa dhe të tjerët akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje kanë marrë pjesë në aktivitetet kriminale të keqpërdorimit, me dhënien e tenderëve fitimprurës kompanive, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve, etj, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.
Drejtësia Sot, është duke raportuar në vazhdimësi për rrjedhën e këtij procesi.
Monitoruar nga Blerta Kelmendi.
Lajmet në fokus