Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, ndaj të pandehurve Armend Selimi, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi të akuzuar për Mashtrim dhe Keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Seanca ka vazhduar me administrimin e prova materiale të propozuara mbrojtja, ndërkaq pas administrimit të tyre prokuroria e shtetit ka pasur vërejtjet e saj ndaj këtyre provave. Më pas është proceduar me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit Selimi, Ramadani dhe Fetoshi.
I akuzuari Selimi në mbrojtjen e tij u deklarua se pas shpalljes së tenderit për materiale harxhuese nga Ministria e Shëndetësisë, ka aplikuar ku kushtet dhe kriteret për aplikim kanë qenë autorizimi nga prodhuesi, i cili duhet të përmbaj numrin e telefonit, email adresën dhe nënshkrimin, si dhe certifikatat CE. Por për shkak të mungesës së vulës në autorizim janë eliminuar nga tenderi, edhe pse kanë qenë me çmimin më të ulët kënddrejtë ofertuesve të tjerë.
Pas kësaj ka theksuar se ka drejtuar ankesë në OSHP, të cilët kanë marrë vendim që tenderi të kthehet në rishqyrtim. E Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar më pas me kompaninë- prodhuesin “Johnson &Friends”, sa i përketë origjinalitetit të autorizimit e të njëjtit përmes emailit e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë operatorin ekonomik NTP “Friends” e ka shpallur fitues.
Ndërsa i akuzuari Ramadani në mbrojtjen e tij ka theksuar se i njëjti ka qenë i angazhuar si ekspert i jashtëm teknik pranë OSHP-së, ku ka bërë shqyrtimin e pretendimeve ankimore të operatorit ekonomik NTP “Friends” dhe dhënien e mendimit në lidhje me këto pretendime.
I njëjti ka theksuar se vetëm ka dhënë mendimin në lidhje me lëndën përkatëse, i cili mendim është në raportin përkatës, i njëjti nuk ka qenë mendim obligativë. Si dhe e ka sqaruar se në fletën e të dhënave të tenderit nuk ka qenë kërkesa që autorizimi të këtë vulë.
Si dhe i akuzuari Fetoshi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka deklaruar se detyrë e tij si ekspert i brendshëm pranë OSHP-së, ka qenë që të bëj shqyrtimin e ankesës së NTP “ Friends”, dhe më pas të bëj rekomandimin, rekomandim ky i cili ka qenë që çështja në fjalë të kthehet në rivlerësim dhe të kërkohen sqarime shtesë në lidhje me autorizimin.
I njëjti e ka sqaruar se në kërkesat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka qenë e caktuar dhe obligative që autorizimi të këtë vulë. Në këtë drejtim gjyqtarja Medie Bytyçi ka ndërprerë shqyrtimin e sotëm gjyqësor ndërkaq që seanca e radhës do të mbahet me datë 16 dhjetor, me fillim nga ora 13:15, ku pritet që palët te japin fjalën përfundimtare.
Ndryshe, sipas aktakuzës më datë 20 prill 2016, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Armend Selimi, i cili në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitoi një tender.
Ky dokument ishte falsifikuar me qëllim që të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM). Me këtë rast, ai konsiderohet se ka kryer veprat penale: “Mashtrim” nga neni 335 par.3 të KPRK-së dhe “Falsifikim i dokumentit” nga neni 398 par. 2 të KPRK-së. Ndërsa, të akuzuarit Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi, sipas aktakuzës, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga OSHP, ashtu që nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi, pretendohet se i kishte falsifikuar dokumentet.
Të njëjtin sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson &Friends” në Londër është i falsifikuar, dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.
Në bazë të kësaj, ata thuhet se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe prapë kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale.
Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitoi tenderin.
Më këtë veprim të pandehurit Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus