Gjykata Themelore në Gjilan, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit Naim Sallahu, i akuzuar për veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, dhe e ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, raporton Drejtësia Sot.
0Sallahu akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu” SHPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik, duke mos paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik. “Gjykata pasi analizoi kërkesën për hudhjen e aktakuzës, përgjigjjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe shkresat e tjera të lëndës, konstatoi se kërkesa për hudhjen e aktakuzës e mbrojtësve të të pandehurit, avokatit Idriz Syla dhe avokatit Flamur Bllacaku, është e bazuar” thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 2 nëntor 2021.
Tutje, në vendim thuhet se në rastin konkret, Naim Sallahut me aktgjykimin P.KR.nr. 94/18, i ishte shqiptuar fillimisht dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, e pastaj ky dënim i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 3.000 euro, e qe në këtë rast konsiderohet se Naim Sallahu është dënuar vetëm me gjobë, sepse dënimi i fundit i shqiptuar nga gjykata është me gjobë, i cili dënim në bazë të nenit 93 paragrafi 2 të KPRK-së nuk krijon pasoja juridike, në regjistrat e gjykatave nuk figuron se ky person ka qenë i dënuar.
Gjykata është e bindur se në veprimet e të pandehurit Naim Sallahu nuk ka elemente të veprës penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik, nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së.
Për këtë arsye u vendos si në dispozitivin e këtij aktvendimi, duke e hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën ndaj të pandehurit Naim Sallahu, thuhet në fund të vendimit të gjykatës. Kujtojmë se me datën 29 shtator 2021, Gjykata Themelore në Gjilan ka mbajtur seancën fillestare në të cilën i pandehuri Naim Sallahu, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë sipas aktakuzës.
Gjykata të pandehurit dhe mbrojtësve të tij, u ka lënë një afat 30 ditor për paraqitjen e kundërshtimeve të tyre ndaj aktakuzës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Naim Sallahu, në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu” SHPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë aktivitetit të Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti – Kërbliq – Kaçanik, ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të paligjshëm, me qëllim të ndikimit në vendimin, aktivitetin e Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues P.Kr. nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast.
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus