Gjyqtarja Ljiljana Stevanovic është emëruar kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila si kandidate e vetme për këtë pozitë, arriti të marrë të gjitha votat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), raporton Drejtësia Sot.
Në mbledhjen e 269-të të KGJK-së, gjyqtarja Stevanovic, pas procesit të votimit të mbyllur, arriti të marr nëntë (9) vota nga nëntë (9) anëtarë që morën pjesë në këtë votim, duke bërë që e njëjta të emërohet në pozitën të cilën më herët e kishte gjyqtari Nikola Kabasic.
Mandati i gjyqtares Stevanovic si kryetare e Gjykatës së Mitrovicës fillon nga data 01 nëntor 2021, zgjat pesë (5) vite dhe pa mundësi rizgjedhjeje në këtë pozitë.
Në bazë të të dhënave të siguruara nga KGJK, gjyqtarja Ljiljana Stevanovic deri më tani ka qenë Gjyqtare mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega Zubin Potok.
Duke qenë se mandati i saj si kryetare fillon sot, KGJK ka kërkuar që e njëjta të caktoj Ushtrues Detyre të Gjyqtarit mbikëqyrës në këtë Degë, deri në zgjedhjen e Gjyqtarit të ri mbikëqyrës.
Kujtojmë që konkursi për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ishte shpallur në bazë të vendimit KGJK.Nr.235/2021, i datës 2 shtator 2021, dhe ka qenë i hapur nga 10 deri më 24 shtator 2021.
Procesi i intervistimit të kandidates së vetme për këtë pozitë ishte mbajtur më datë 27 tetor 2021, dhe i njëjti ishte monitoruar dhe raportuar nga GLPS/Drejtësia Sot.
Sipas konkursit, për kryetar të gjykatës themelore Mitrovicë, të drejtë aplikimi kanë pasur vetëm gjyqtarët nga radhët e komunitetit serb nga gjykata përkatëse duke përfshirë dhe degët.
Kandidati për kryetar të gjykatës duhet ti plotësonte edhe kriteret themelore si në vijim: të ketë të paktën tri (3) vite përvojë pune si gjyqtar, si dhe të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimisht nëse ndaj tij është shqiptuar masa e qortimit ose vërejtjes jo-publike, në pesë vitet e fundit.
Kandidati për kryetar të gjykatës përveç profesionalizmit dhe kualifikimeve për kryerjen e funksionit, duhet të kishte aftësi dhe njohuri në kryerjen e punëve të udhëheqjes dhe organizimit brenda gjykatës si dhe integritet personal.
Në kuadër të saj, nënkuptohet: Njohja e punëve të administratës gjyqësore; Reputacionin të cilin kandidati gëzon nga ana e kolegëve gjyqtarë; Komunikimin korrekt me palë dhe kolegë brenda gjykatës; Gatishmërinë për bashkëpunim me organizata dhe institucione tjera; Të jetë kreativ në punë duke lehtësuar kështu punën e gjykatës.
Linku nga lajmi paraprak:
Monitoruar nga Lejla Haxhiu dhe Liridon Salihi
Lajmet në fokus