Mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Sabedin Mushica, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore ndaj zyrtarit përgjegjës për ruajtjen e armëve në Stacionin Policor në Gjilan, Xhavit Azizit, i akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Lajmi për mungesën e gjyqtarit Mushica, është bërë i ditur nga zëdhënësi për informim i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, i cili tha se gjyqtarët janë në një seminar në Shqipëri.
Në këto rrethana, seanca e paraparë për ditën e sotme, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 janar 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Azizit sepse i njëjti nga 7 korriku 2017 deri më 18 shkurt 2020, si zyrtar i personelit në Stacionin Policor në Gjilan – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët, e në të cilin sirtar është mbajtur edhe arma zyrtare e zyrtares policore V.B, ashtu që duke mos i ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, tani e ndjera, zyrtarja policore Valdete Bllaca, i ka fotokopjuar çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e vet zyrtare të llojit “Gllock”, e cila armë i është sekuestruar për shkak të gjendjes shëndetësore psikike më 18 shkurt 2020, e me të cilën armë në shtëpinë e saj kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit edhe veten.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus