Gjykimi në rastin Stenta 1, aprovohet propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e një dëshmitari

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

15:57 / 19 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, sot vazhdoi shqyrtimi gjyqësorë në rastin “Stenta 1, raporton Drejtësia Sot.

Kujtojmë se në këtë rast ish ministri Ferid Agani dhe Gani Shabani po gjykohen për veprën penale të keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, me ç’rast dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej më shumë se 4 milionë euro.

Në seancën e sotshme gjyqësore të udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi së pari u elaboruan dy prova materiale të propozuar nga Prokuroria Speciale. Së pari nga ana e prokurores Florije Shamolli u njoftua se i ka dorëzuar provat materiale si CD1 dhe CD2 e po ashtu edhe opinionin ligjor të KRPP-së, të cilat u konfirmuan se janë pranuar nga palët proceduale.

Lidhur me këto prova prokurorja Shamolli i kërkoi gjykatës që të merren si të lexuara por që u pjesërisht u kundërshtuan nga ana e mbrojtjes dhe vet të akuzuarit. Sipas avokatit Adem Vokshi dhe Skënder Musa, sa i përket opinionit ligjor të KRPP-së, u tha se nuk kanë vërejtje mbi shpjegimet e ofruara, kurse lidhur me provat që janë paraqitur në CD1 dhe CD2, konstatuan vërejtje për faktin se sipas tyre, ato nuk përmbajnë saktë informata mbi bazën e clave kritereve ligjore janë kryer pagesat dhe nuk janë specifikuar lista e personave që janë paguar 100 %.

Madje gjatë këtyre elaborimeve, nga avokati Adem Vokshi u propozua që të ftohet si dëshmitar Shemsedin Dreshaj, i cili në atë kohë kishte qenë drejtor ekzekutiv që ka vendosur për përcaktimin e këtyre listave.

Po ashtu edhe prokurorja Florije Shamolli propozoi që lidhur me listimet e bëra në këto cd të caktohet një ekspertizë financiare për të caktuar lartësinë e dëmit.

Në fund, trupi gjykues mori aktvendim dhe aprovoi propozimet e mbrotjes dhe të prokurores rreth caktimit të një eksperti financiar.

Njëkohësisht,TGJK, mori vendim që ex officio të caktojë një ekspert për të vlerësuar procedurat e prokurimit publik që janë udhëhequr në këtë proces. Pas këtij momenti gjykimi u ndërpre dhe u caktua të vazhdoi më datë 24 dhjetor 2021 ora 9 e 30 minuta.

Ndryshe, sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.

Aktakuza thotë se i njëjti kishte ndikuar te i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku