Gjykimi ndaj ish-drejtorit të “Llamkosit” dhe të tjerëve, dëgjohen katër dëshmitarë të prokurorisë

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

13:58 / 25 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

L.B, ish-drejtor i ndërmarrjes së re “Llamkos” dhe tre të akuzuar tjerë me incialet D.M., I.P. dhe M.C, edhe sot janë paraqitur pranë Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për t’u përballur me akuzën e prokurorisë speciale për disa vepra penale, raporton Drejtësia Sot.

L.B.,  D.M., I.P. dhe M.C. po akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, ndërsa L.B. po gjykohet edhe për shpërlarje të parave.

Në këtë seancë, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtarët Arben Hoti-kryetar, Shadije Gërguri dhe Mentor Bajraktari anëtar, janë dëgjuar dëshmitarët e prokurorisë F.J, R.S., B.K. dhe Z.Z.

I pari që dëshmoi në këtë gjykim ishte personi me incialet F.J., i cili tha se gjatë vitit 2007 ka punuar në departamentin e shitjes në fabrikën e vajrave në komunën e Ferizajt. 

Ai ndër të tjera theksoi se meqë kjo fabrikë kishte hapësirë të madhe, një pjesë e saj është lëshuar me qëra për kompani të ndryshme, duke përfshirë edhe fabrikën “Llamkos” . Dëshmitari tha se me aq sa i kujtohet, kompania “Llamkos” për një periudhë të caktuar kohore ka shfrytëzuar si depo një hapësirë të fabrikës së vajrave në Ferizaj.

Ndërsa dëshmitarët me inicialet R.S., B.K dhe Z.Z., dëshmuan se gjatë periudhës kohore të përmendur në aktakuzë kanë punuar si transportues privat të mallrave varësisht nga kërkesat e klientëve. Ata thanë se kanë transportuar disa herë llamarinë nga ndërmarrja e re “Llamkos”, në lokacione të ndryshme në Prizren dhe Ferizaj.

Pasi përfundoi dëshmia e këtyre dëshmitarëve, trupi gjykues ndërpreu gjykimin për ditën e sotme për të njoftuar se i njëjti do të vazhdojë më datë 21 dhjetor 2021, me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës të propozuar në aktin akuzues.

Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale, të datës 9 tetor 2020, e cila përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli, të akuzuarit D.M, A.K. dhe I.P. po akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, pasi që si bashkëpronarë të një kompanie nga Ferizaj, gjatë vitit 2005 i kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive, në vlerë prej më shumë se 243 mijë euro.

Sipas aktakuzës, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar për një kompani fiktive si blerës, në vlerë të përgjithshme prej më shumë se 487 mijë euro, e më pastaj një pjesë e mallit në vlerë prej më shumë se 220 mijë euro është transportuar në depon e një fabrike në Ferizaj, me urdhërin e të akuzuarit L.B i cili në këtë kohë ishte drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”.

Aktakuza më tutje thotë se ky mall asnjëherë nuk është paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”.

L.B., gjithashtu akuzohet se si drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”, ka faturuar shitjen e mallit – llamarinë e zinkur për disa kompani, i cili mall është transportuar tek to por nuk është është paguar asnjëherë. Akti akuzues pretendon njëra ndër kompanitë ku është transportuar ky mall, ka qenë edhe kompania ku pronar ishte i pandehuri tjetër M.S..

Aktakuza sqaron se në periudha të ndryshme, nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, me urdhër të të akuzuarit L.B iu ishin paguar personit V.J., shuma prej rreth 300 mijë euro.

Ndërsa i akuzuari L.B., po akuzohet edhe për shpërlarje të parave, pasi që kishte përfituar nga të akuzuarit I.P., A.K. dhe D.M. një parcelë në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal. Sipas aktakuzës, këta persona kishin lidhur kontratë për shitblerje të kësaj parcele me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, prandaj edhe shuma e paraqitur në kontratë asnjëherë nuk ishte paguar nga i akuzuari L.B.

L.B po ashtu akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim fshehjes së burimit ilegal të saj, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve D.M., A.K. dhe I.P., ka pranuar shumën prej 100 mijë eurove nga i akuzuari D.M.

Përveç kësaj, aktakuza gjithashtu sqaron se L.B kishte themeluar një kompani, duke deponuar shuma të ndryshme të hollave për të fshehur apo maskuar burimin ilegal të mjeteve financiare të përfituara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Vlen të theksohet se dy pika të aktakuzës në këtë rast janë hudhë poshtë për shkak të parashkrimit absolut, ndërsa poashtu është pushuar procedura penale ndaj të akuzuarit A.K. për shkak të vdekjes së tij.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast 

Monitoruar nga Rinon Arifi