Gjykata Themelore në Pejë – Dega në Deçan ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.H., i akuzuar për veprën penale të Fajdesë, raporton Drejtësia Sot.
Ky lajm është bërë i ditur përmes një komunikate për media të Gjykatës së Pejës. Sipas kësaj komunikatë thuhet se i akuzuari F.H., në fund të muajit mars 2020 e deri me datë 10 gusht 2020, në Deçan, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, kontrakton dhe pranon për vete shumën dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit – dhënies së të hollave të dëmtuarit.
Kësisoj i akuzuari në kohën e lartcekur ia jep të dëmtuarit shumën e përgjithshme të hollave prej dymijenjëqind (2100) euro, ku i dëmtuari më vonë ia kishte kthyer shumën prej dymijë (2000) euro të borxhit bazë duke mbetur borxh edhe shumën prej njëqind (100) euro. Në këtë mënyrë i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit një shumë shtesë dukshëm jo proporcionale prej njëmijepesëqind (1500) euro të tjera si kamatë vonesë dhe shumën prej njëqind (100) euro të mbetura nga borxhi, në total shumën prej njëmijegjashtëqind (1600) euro, të cilat i dëmtuari nuk ka arritur të i’a paguaj deri me datë 10 gusht 2020, me ç’rast edhe i shkakton vetës lëndime trupore duke inskenuar dhe raportuar rrejshëm në polici rastin e sulmit me qëllim që t’i shmanget datës kur kishte për t’i dhënë paratë të pandehurit e ku i pandehuri me këtë ka realizuar dobi pasurore në emër të kamatës së kundërligjshme në shumën e përgjithshme prej njëmijepesëqind (1500) euro.
Nga të lartcekurat gjykata e ka gjetur fajtor F.H., për veprën penale të Fajdesë dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim duhet të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit.
Drejtësia Sot, njofton se kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Monitoruese: Blerta Kelmendi
Lajmet në fokus