Pranë Gjykatës së Apelit, këtë premte është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me rastin e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova raporton Drejtësia Sot. Kolegji fillimisht njoftoi se në seancën për këshillim dhe votim kanë vendosur që ta hapin shqyrtimin gjyqësor dhe si rezultat i kësaj kanë kërkuar një sqarim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (tutje KRPP) dhe atë duke iu drejtuar me katër pyetje.
Së pari ky komision është pyetur se lënda e kontratës çfarë lloji i kontratës konsiderohet, sipas klasifikimit të kontratave a bije në vlerë të madhe apo jo, zyrtari kryesor administrativ a ka detyrim të nënshkruaj vetëm kontratën me lerë të madhe siç përcaktohet me dispozita ligjore dhe pyetja e fundit ishte se kur kontrata nuk klasifikohet me vlerë të madhe a krijohet efekti i zbatimit me rastin e nënshkrimit nga ana e menaxherit të prokurimit publik.
Kësisoj KRPP, i është përgjigjur Gjykatës së Apelit në pyetjet e parashtruar duke konstatuar se kontrata në fjalë ishte kontratë e punës e vlerës së mesme dhe ishte zhvilluar procedura e hapur.
Tutje në përgjigjje thuhej se kontrata publike me vlerë të madhe përveç zyrtarit përgjegjës të prokurimit duhet të nënshkruhet në emër të autoritetit kontraktues edhe nga zyrtari kryesor administrativë siç e parashohin dispozitat ligjore. Kurse në lidhje me pyetjen e fundit se a krijohet efekti i zbatimit të kontratës që nuk ka vlerë të madhe me rastin e nënshkrimit të menaxherit apo zyrtarit të prokurimit ky komision është përgjigjur se kur në kontratat publike nënshkruhen personat e autorizuar si për ato me vlerë të vogël, të mesme ose me vlerë të madhe si dhe nga autoriteti ekonomik kontrata e tillë është ligj për palët kontraktuese dhe ajo fillon të zbatohet dhe ekzekutohet në kohën e përcaktuar dhe në përputhje me kushtet e kontratës së nënshkruar nga palët kontraktuese.
Lidhur me këtë provë të prezantuar nga kolegji i gjykatës u deklarua prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arjan Gashi. Prokurori Gashi, e kundërshton një provë të tillë si jo lëndore për arsye se Prokuroria e Apelit konsideron se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit për çka edhe i akuzuari është shpallur fajtorë në shkallë të parë pasi që i njëjti në kohën kryerjen e kësaj vepre penale ka qenë person zyrtar.
Prokurori Gashi, shtoi se i akuzuari ka marr pjesë në ushtrimin e autoritetit zyrtar përmes vendimit apo miratimit me një aktivitet të prokurimit publik zyrtar në të cilin ka vendos dhe ka pasur interes direkt anëtari i familjes së tij vëllai i tij Gani Rugova, i cili ka qenë pronar i operatorit ekonomik “Ma-Con” shpk, e cila ka qenë fituese e kontratës në të cilën kompani sipas të dhënave zyrtare dhe sipas deklarimit të pasurisë nga i akuzuari, i njëjti edhe vetë ka qenë bashkëpronar deri në vitin 2013 apo një vit para nënshkrimit të kontratës.
Për më tepër në këtë kompani ishte punësuar edhe bashkëshortja e të akuzuarit. Prokurori po ashtu deklaroi se në këtë rast pa mëdyshje është përmbushur edhe elementi subjektiv i kësaj vepre penale dashja e cila përfshinë dijen e kryesit se në çështjen e njëjtë ai apo anëtari i familjes së tij ka interes financiar dhe megjithatë ai nuk tërhiqet nga vendim marrja sikur se ka ndodhur në rastin konkret sepse i akuzuarit në të njëjtën faqe ku ka vendosur nënshkrimin e tij menjëherë nën të ekziston edhe emri dhe mbiemri i vëllait të tij dhe vula e firmës së tij si fituese e kësaj kontrate publike, pra rrethanë kjo botërisht e ditur se kush është fitues i asaj kontrate.
Më pas prokurori Gashi deklaroi se në lidhje me çështjen e vlerës së kontratës e cila është kriter sipas ligjit për prokurim publik për përcaktim se a kemi të bëjmë me kontratë të vlerës së madhe apo të mesme e për të cilën tani kem edhe mendimin e KRPP-së, i bëj me dije kësaj gjykate se objekt i kësaj aktakuze sikurse i këtij aktgjykimi që është atakuar nuk është procedura që është ndjekur prej shpalljes e deri tek nënshkrimi i kësaj kontrate por objekt është konflikti i interesit në të cilën është gjendur këtu i akuzuari si person zyrtar e në anën tjetër si përfitues direkt vëllai dhe bashkëshortja e tij respektivisht kompania ku vetë i akuzuari kishte punuar deri në vitin 2013. Në fund prokurori i propozoj që të refuzohet si e pa bazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Rugova ndërsa vendimi i shkallës së parë të vërtetohet. Ndryshe deklaroi mbrojtësi i të akuzuarit Haki Rugova, avokati Besnik Berisha, i cili tha se mos njohuria e dispozitave ligjore apo mungesa e guximit në instancat e mëposhtme u konfirmuan me provën e urdhëruar nga kolegji i kësaj gjykate duke shtuar se kjo provë përmban atë çfarë kanë parashtruar në çdo kundërshtim të tyre.
Ndërsa lidhur me pretendimet e prokurorit se i akuzuari Rugova, ka vendosur në çështje zyrtare të prokurimit avokati Berisha, deklaroi se është spekulim i cili nuk ka mbështetje në asnjë provë të kësaj lënde sepse vendimmarrja është e përcaktuar saktë me ligjin e prokurimit publik dhe është sqaruar se zyrtari kryesor administrativ në kontratat për punë siç është në rastin konkret ka detyrim ligjor të marrë pjesë vetëm në ato që kanë vlerë të madhe e të cilat nuk ekzekutohen pa nënshkrimin e të njëjtit.
Berisha po ashtu shtoi se në rastin konkret me dhjetëra vende qoftë gjatë fazës së hetimeve qoftë gjatë gjykimit e në veçanti sot me provën e siguruar është konfirmuar se kontrata që është objekt i kësaj çështje penale është me vlerë të mesme karakteri i saj është kontratë pune dhe efektin e ekzekutushmërisë e ka marr në kohën e nënshkrimit nga zyrtari i prokurimit si autoriteti i vetëm për të vendosur në këtë procedurë.
Në fund avokati Berisha, i propozoj gjykatës që provën e siguruar ta konsideroj si mbretëreshë të provave e cila rrëzon çdo pretendim që nuk ka mbështetje në prova të lëndës duke shtuar se apelon që ky kolegj të marr aktgjykim lirues sepse sipas bindjes së tij vetëm kjo është drejtësi. Kujtojmë se Gjykatës Themelore në Pejë, me vendimin e datës 14 qershor 2021, të akuzuarin Rugova e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit burgim efektiv si dhe ndaj të njëjtit kishte shqiptuar edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën apo shërbimin publik” në kohëzgjatje prej një viti. Vlen të përmendet se Haki Rugova, akuzohej nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Kështu aktakuza ngarkonte Rugovën, se në cilësinë e personit zyrtar-kryetar i Komunës së Istogut, ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, me kompaninë “Ma-Con” shpk, drejtor i secilës ka qenë vëllai i tij Gani Rugova.
Tutje në aktakuzë thuhej se në momentin e lidhjes së kontratës ndërmjet Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k, për kryerjen e punëve ndërtimore çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85. Më anë të këtyre veprimeve i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij Gani Rugovës, interes financiar, andaj i njëjti akuzohet se e ka kryer veprën penale të konflikt interesit.
Ky rast është monitoruar në vazhdimësi nga Drejtësia Sot,
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus