Gjykata aprovon propozimet për plotësimin e fazës së provave në gjykimin për krim të organizuar me parcela në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

13:04 / 23 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Janë aprovuar për administrim të gjitha provat materiale të propozuara nga Prokuroria Speciale, palët e dëmtuara dhe mbrojtësit e të akuzuarve në çështjen penale ku Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, raporton Drejtësia Sot.

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këta tre të akuzuar dyshohet se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal i cili kishte për qëllim përfitimin e drejtpërdrejtë të dobisë pasurore.

Seanca e sotme filloi me deklarimin e Prokurores Speciale Merita Bina Rugova, për provat e propozuara në seancën e kaluar nga mbrojtja e të akuzuarve. Në tërësi e njejta për disa nga provat propozoi të administrohet kurse disa prej tyre të refuzohet si irelevante. Deklarimet e Prokurores u mbështetet edhe nga përfaqësuesi i AKP-së, dhe palët e dëmtuara në procedurë. Në kundërshtimet e tyre sa i përket provave të mbrojtjes Prokurorja Speciale dhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara propozuan edhe prova të reja për administrim. 

Në këtë drejtim kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, aprovoi të gjitha provat e propozuara në këtë fazë të procedurës. I njejti u deklarua se trupi gjykues duke vepruar sipas sygjerimeve të gjykatës së Apelit, në lidhje me ripërtrirjen e shkresave të rastit civil me të njejtën shenjë, dhe duke pasur parasysh edhe deklaratat e shfaqura sot në lidhje me aktvendimin C.nr.395/2016, sipas detyrës zyrtare morri aktvendim në shtyerjen e kësaj seance deri në konfirmimin se a janë ripërtrirë këto shkresa apo jo nga ana e administratorit dhe shefit për menaxhim të lëndëve të kësaj gjykate. Kësisoji seanca e radhës u caktua me datë 13 janar me fillim nga ora 09:30.

Kujtojmë se kjo çështje penale është kthyer në rigjykim ngase Gjykata e Apelit me vendimin e datës 12.12.2019, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e anuluar kështu vendimin e shkallës së parë e duke kthyer kështu çështjen penale në rigjykim. 

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR.nr.458/16, të datës 06.05.2019, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami janë shpallur fajtor për veprën penale Detyrim në bashkim kriminal duke u dënuar kështu, i pandehuri Bashota me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite, i pandehuri Osman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6 muaj dhe i pandehuri Sylejman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite. Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e prokurores Merita Bina Rugova, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, në bashkëkryerje me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri – ‘Baksi’, si dhe me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, në krye të cilit ka qëndruar i pandehuri Arben Bashota, i cili ka drejtuar veprimet e këtij grupi gjatë periudhës kohore shumëvjeqare kanë kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare.

Në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze theksohet se të pandehurit duke filluar nga vitit 2004, kanë bërë presione të vazhdueshme, direkte dhe indirekte, me intensitet të ndryshëm në të dëmtuarit M.T., K.T., H.Sh., dhe I.O., që të lirojnë pronën e paluajtshme me sipërfaqe 10.12.53 ha e cila gjendet në Fushë Kosovë, të cilën i dëmtuari M.T., e ka marrë në shfrytëzim për 10 vite. Të dëmtuarit e lartcekur kishin ndërtuar në këtë paluajtshmëri objekte me vlerë të përgjithshme prej më shumë se 5 milion euro.

Tutje në pikën e parë të dispozitivit theksohet se i pandehuri Arben Bashota kishte falsifikuar një Aktgjykim të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ku pronar në paluajtshmërinë e lartcekur kishte vendosur personi me inciale M.M., si dhe një autorizim ku personi M.M. e autorizionte të pandehurin Bashota të ndërmarr në emer të tij te gjitha veprimet juridike në lidhje me paluajtshmërinë në fjalë.

Me këto dokumente falso i pandehuri Bashota ka kërkuar regjistrimin e ndryshimeve në kadastër, krejt kjo duke iu bërë presion dhe duke i kërcenuar personat përgjegjës për këtë punë. Aktakuza në vazhdimësi flet për presionin dhe kërcenimet që të pandehurit iu kanë bërë palëve të dëmtuara, duke i’u ndaluar edhe qasjen fizike në objektet e tyre. Të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, kishin filluar të disponojnë në tërësi me pronën si pronar të vetëm.

Pika e dytë e aktakuzës i përshinë veprimet inkriminuese të të pandehurve gjatë qershorit të vitit 2010 ndaj të dëmtuarit A.H., në drejtim të ngastrës kadastrale me rreth 15 ari në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë tek vendi i njohur si Jagnella. Me këto veprime sipas aktakuzës i pandehuri Arben Bashota ka kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.3 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (KPK) lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së. Ndërsa të pandehurit e tjerë në bashkëkryerje më tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri kanë kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.1 të KPK lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Donjeta Pllana.