Fillon dhe përfundon për një ditë rigjykimi në rastin ku u konfiskuan rreth 1 milion euro

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

15:05 / 24 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka filluar dhe ka përfunduar rigjykimi në çështjen penale ku Fatlum e Mirad Sopjani akuzohet për shpërlarje të parave, raporton Drejtësia Sot.

Edhe në këtë proces të rigjykimit të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprën penale që u vihet në barrë. Seanca tutje vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë, të cilët u deklaruan se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna në shqytimin e kaluar gjyqësor. 

Duke qenë se sipas aktakuzës i propozuar për tu dëgjuar ishte vetëm eksperti financiar Qazim Hoxha, dhe i njejti ishte ftuar nga ana e gjykatës mirëpo fletëkthesë për pranimin e ftesës nuk kishte, gjykata aprovoi propozimin e palëve në procedurë që deklarata e tij e dhënë në shqyrtimin e mëhershëm të konsiderohet si e lexuar. Vërejtje në këtë dekalaratë kishin mbrojtja e të akuzuarve duke theksuar se eksperti ne fjalë ka dhënë deklaratë duke dal nga konteksti i profesionit të tij dhe është lëshuar në paragjykime dhe supozime. 

Tutje procedura vazhdoi me administrimin e provave materiale të cilat u elaboruan në tërësi nga ana e Prokurorit Special Atdhe Dema, duke treguar edhe relevancën e tyre me këtë çështje penale në drejtim të këtyre të akuzuarve. Mbrojtja i kundërshtoi këto prova duke konsideruar se të njejtat nuk plotësojnë rekomandimet e dhëna nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila kishte kërkuar ekskluzivisht të provohet dijenia e të akuzuarve në lidhje me paratë që pretendohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Të njejtit theksuan se e vetmja përgjegjësi që këta dy të akuzuar kanë është se kanë hapur një kompani me dy persona tjerë të huaj. 

Në mbrojtjen e tyre të akuzuarit u deklarun se qendrojnë pranë deklarimeve të dhëna më herët. I akuzuari Fatlum Sopjani shtoi se si bashkëpronar në kompaninë ‘NICUMA’, nuk kishte pasur asnjë fitim e as autorizim për qasje në llogaritë bankare të së njejtës. Ndërkaq që Mirad Sopjani deklaroi se ka qenë i autorizuar në llogarinë e kompanisë nëpërmjet opsionit e-banking mirëpo që asnjëherë nuk është kyqur në këtë llogari apo nuk ka kryer ndonjë transaksion tjetër. Sipas tij ashtu siç edhe e kishte pranuar zarfin me kodin e llogarisë nga banka në atë mënyrë të mbyllur e kishte dorëzuar në gjykatë pasi kishte kuptuar për fillimin e hetimeve. Të njejtit deklaruan se nuk kanë fituar asgjë nga kjo kompani vetëm se kanë humbur si nga ana materiale ashtu edhe nga ajo morale. 

Në fjalë përfundimtare Prokurori Dema, theksoi se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë më herët, duke shtuar se nga provat e prezantuara mbeshtetet në tërësi teza e akuzës. Se këtu të akuzuarit kanë qenë në dijeni në lidhje me aktivitetet e biznesit në të cilin kanë qenë bashkëpronar me nga 25% të aksioneve së bashku me personat Kim David Rasmussen dhe Denis Sodelius Lindberg, këta të fundit të dënuar në shtete të tjera. Duke i propozuar gjykatës që ndaj të njejtëve të shqiptoj dënim me burgim efektiv dhe të konfiskojë mjetet të cilat janë konfiskuar sipas aktakuzës. 

Avokati Faton Qirezi mbrojtës për të akuzuarin Fatlum Sopjani në fjalë përfundimtare theksoi se nuk janë vërtetuar faktet se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale më të cilën ngarkohet. I njejti theksoi se përgjegjësia e bashkëpronarëve është kategori tërësisht juridiko-civile dhe nuk ka të bëjë me përgjegjësi penale përderisa nuk vërtetohet e kundërta. Nderkaq që avokati Florent Latifaj mbrojtës për të akuzuarin Mirsad Sopjani, deklaroi se kjo në tërësi është dështim që nga faza e hetimve nga ana e Prokurorisë, dhe se me asnjë provë të vetme nuk vërtetohen elementet e veprës penale me të cilën ngarkohet i mbrojturi i tij. Të njejtit i propozuan gjykatës që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza në mungesë të provave, ndërkaq nuk e kundërshtojnë konfiskimin e parave sipas aktakuzës duke theksuar se nuk janë të holla të tyre dhe se kurrë nuk kanë pasur gisht me ato para. 

Në këtë drejtim gjyqtarja Violeta Namani, shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor duke njoftuar palët se shpallja e vendimit do të bëhet me datë 29 nëntor me fillim nga ora 09:00.  

Sipas aktakuzës të pandehurit Fatlum e Mirsad Sopjani, në periudhën kohore 21.02.2017-30.07.2017, edhe pse e kanë ditur apo kanë pasur arsye shumë të forta për ta ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal, dhe me qëllim të fshehjes apo maskimit, të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes, ose pronësisë së pasurisë, kanë pranuar transfere ndërkombëtare, mjete këto të rrjedhura nga aktivitetet kriminale, nga personat e dyshuar Kim David Rasmussen dhe Dennis Sodelius Lindberg, ku me qëllim të pastrimit të parave, së pari kanë regjistruar biznesin me emër ‘NICUMA’, si bashkëpronar të katërtit, kanë hapur xhirollogari e pastaj në atë xhirollogari kanë pranuar mjete monetare, nga kompania ilegale (fictive) e quajtuar ‘One Life Netëork Limited’, nga vendi i quajtur Belize, fakti se parat rrjedhin nga aktiviteti kriminal, pranimii mjeteve nga një biznes diktic, si dhe dënimi që i është bërë Kim Rasmusen në Danimarkë, me burg dhe gjobë, për vepra penale, shmangie nga tatimi dhe vepra të tjera penale, shuma e shpërlarjes është 1,823,413.46 euro. Me këtë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale Shperlarje parash nga neni 308 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe neni 32 par.2 nënpar.2.1 dhe 2.2., i ligjit për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë me aktgjykimin PKR.nr.398/2017 të datës 28.03.2019, kishte shpallur fajtor F.S., dhe M.S., për shkak të veprës penale si bashkëkryerës ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 308 i KPRK-së dhe nenit 32 par.2 nënpar.2.1 dhe 2.2., të Ligjit për parandalimin e shpërlarjes se parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Të njejtëve gjykata e shkallës së parë, secilit vec e vec, u kishte shqiptuar dënim më burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve me kusht që të njejtit të mos ekzekutohen nëse të dënuarit brenda periudhës verifikuese prej 2 vite nuk kryejnë vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 5000 euro.

Ndaj të njejtëve gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues ashtu që u konfiskuar shuma prej 946,820.84 euro si rezultat i përfitimit nga kryerja e veprës penale. Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.11/2019, të datës 23.12.2019, kishte ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas detyrës zyrtare përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale, ashtu që ka gjetur se në veprimet e të dënuarve janë plotësuar të gjitha elementet e e veprës penale si bashkëkryerës ‘Shpërlarja e parasë’ nga neni 308 të KPK, dhe nenit 56 par.1 pika 1.1 dhe 1.2 të Ligjit mbi parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimin e terrorizimit e lidhur me nenin 31 të KPK, ndërsa e ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin PML.nr.136/2020, të datës 15.06.2020, kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e F.S., dhe M.S., duke anuluar kështu vendimet e marrë nga gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë, e duke kthyer kështu cështjen në rigjykim shkallës së parë. Kjo gjykatë kishte gjetur se në rastin konkret në aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë dhënë arsye të duhura ligjore se me çka është vërtetuar se të dënuarit kanë qenë apo është dashur të jenë në dijeni për burimin e paligjshëm të parave të transferuara.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Donjeta Pllana.