Fillon administrimi i provave materiale në gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Pejës

Monitoruar nga

15:53 / 12 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykimi për keqpërdorim të detyrës ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit Demë Dashi, ka vazhduar me dëgjimin e tre dëshmitarëve dhe me administrimin e provave materiale, raporton Drejtësia Sot.

Dashi, akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës që nuk i ka përmbushur detyrat e tij si Drejtor i Inspekcionit në Pejë duke lejuar kështu ndërtime pa leje. Seanca e sotme filloi me dëgjimin e dëshmitarit, L.L., i cili u përgjigj në pyetjet e prokurorit Ali Uka, mbrojtësit të të akuzuarit Dashi, avokatit Gëzim Kollqaku si dhe në pyetjet e kryetares së trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj.

Ndër të tjera ky dëshmitar elaboroi të gjeturat dhe rekomandimet e bëra ndaj inspektoratit të ndërtimit në cilësinë e auditorit të Komunës së Pejës të paraqitura në raportin vjetor. Pas këtij dëshmitari, u dëgjuan edhe dy dëshmitarët e tjerë F.K. dhe B.M. Dëshmitarja F.K., në cilësinë e zyrtares ligjore në departamentin ligjor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoi se kjo ministri nuk bën interpretim të ligjeve, por vetëm jep opinione ligjore të cilat nuk kanë efekt juridik por orientojnë se si mund të arrihet qëllimi i legjislacionit.

Ndryshe dëshmitari B.M., para turpit gjykues i sqaroi të gjitha fazat e procedurës që zhvillohen me rastin e inspektimit të ndërtimeve, prej marrjes së vendimit për rrënim të objekteve pa leje e deri tek ekzekutimin e këtij vendimi. Në sesionin e pasdites gjykimi vazhdoi me administrimin e provave materiale. Administrimi i këtyre provave nuk arriti të përfundoj sot për shkak të mungesës në shkresa të lëndës të disa provave të propozuara në aktakuzë nga prokuroria.

Kësisoj, seanca u ndërpre dhe gjykata e obligoi prokurorin që ti gjej të gjitha urdhëresat mbi bazën e të cilave janë nxjerr transkriptet e bisedave telefonike, raportin përmbledhës të këtyre transkripteve si dhe raportet e auditimit pasi që të njëjtat nuk mund të administrohen si provë nëse nuk gjenden në shkresa të lëndës.

Seanca e radhës u caktua me datën 08 dhjetor 2021, në orën 14:30.

Kujtojmë se në seancat e kaluara janë dëgjuar dëshmitarët A.Q., M.A. dhe H.S., të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në cilësi të ndërtuesve të objekteve banesore në të cilat sipas aktakuzës janë tejkaluar lejet ndërtimore. Sipas aktakuzës Demë Dashi, akuzohet se nga data 07 maj 2014 e deri me 14 nëntor 2016, duke qenë në pozitën e personit zyrtar dhe atë Drejtor i Drejtoratit të Inspekcionit në Komunën e Pejës, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare. Aktakuza tutje sqaron veprimet e të akuzuarit të cilat bien në kundërshtim me ligjin mbi ndërtimin duke lejuar ndërtimin e katërmbëdhjetë (14) objekteve banesore pa leje si dhe me tejkalim të lejeve urbanistike duke i’u mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve të këtyre objekteve.

Vlen të përmendet se ky proces gjyqësor është duke u zhvilluar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj kryetare, Arben Mustafaj dhe Musë Povataj anëtarë të trupit gjykues.

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij procesi gjyqësor.

Monitoruar nga Blerta Kelmendi