Në ambientet e gjykatës së Apelit në Prishtinë sot u mbajtë seanca e kolegjit lidhur me rastin ndaj Arben Bakallit- Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Gjakovë dhe Agron Gojanit zyrtar i kësaj drejtorie, të akuzuar për keqpërdorim të detyres zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Dy të akuzuarit, konkretisht Arben Bakalli akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës në kundërshtim me ligjin kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Agron Gojani, zyrtar i po kësaj drejtorie e kishte nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.
Në seancën e sotme gjyqësore, të udhëhequr nga kolegji prej gjyqtarve Abdullah Ahmeti kryetar, Driton Muharremi e Beqir Kalludra anëtar u shqyrtuan pretendimet ankimore të mbrojtjes së të akuzuarëve në fjalë.
Të njëjtit gjatë elaborimeve të tyre, kërkuan nga apeli që vendimi i gjykatës themelore në Gjakovë mbi dënimin e këtyre dyve të anulohet ose çështja të kthehet në rivendosje me arsyetimin se vendimi është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetim të gabueshëm të fakteve.
Sipas avokatëve të të akuzuarëve Bakalli e Gojani, vendimi i themelores në Gjakovë është shkruar me vonesë, bazuar në provat dhe dëgjimi i një dëshmitarje jo relevante.
Të njëjtit I propozuan gjykatës që ankesa e tyre të aprovohet dhe të anulohet vendimi i shkallës së parë pasiqë sipas tyre aktakuza nuk përmban elementet e veprës penale për cka këta persona janë akuzuar dhe dënuar.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë më 1 qershor 2021 i kishte shpallur fajtor drejtorin e Drejtorisë̈ së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, si dhe zyrtarin e po kësaj drejtorie, Agron Gojani, të akuzuar veç e veç për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kësisoj, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 3000 eurosh.
Kurse, zyrtari i po kësaj drejtorie Agron Gojani, nga ana e gjykatës së Gjakovës ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 2000 eurosh.
Përveç kësaj, ndaj të akuzuarve Bakalli dhe Gojani, iu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ai i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë për këtë rast:
Monitoruar nga Vullnet Bugaqku/Kujtim Kastrati
Lajmet në fokus