Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se në mënyrë të kundërligjshme ka fituar statusin e veteranit të UÇK-së

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:27 / 17 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, është paraqitur Florim Aliu, i akuzuar për legalizim të përmbajtjes së rreme, raporton Drejtësia Sot.

I akuzuari Aliu po akuzohet se nga legalizimi i rremë që e ka bërë, e ka fituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së.

Në seancën e së mërkures, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Halim Borovci, i akuzuari është deklaruar se nuk e pranon fajësinë pasi ka qenë ushtar i UÇK-së, dhe se nuk e ndien veten fajtor.

Në fjalën hyrëse të palëve, prokurori Borovci tha se Prokuroria e ka ngritur aktin akuzues bazuar në provat siç janë shkresat zyrtare nga Prokuroria Speciale.

Ndër të tjera, prokurori tha se deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor bazuar edhe në provat tjera të cilat gjinden në shkresat e lëndës, do të vërtetohet se i akuzuari Florim Aliu e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Florim Aliu, avokati Fadil Sinanaj, tha se e kundërshton aktin akuzues, pasi sipas tij provat e propozuara nga prokurori nuk do të mund të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me procedurën e provave, ku është dëgjuar dëshmitari F.B., i cili tha se që nga viti 1998 ka qenë pjesë e UÇK-së. Dëshmitari tha se detyra kryesore e tij ka qenë përgjegjës i një pike ushtarake e cila i ka përfshirë tri lagje.

“Më 15 prill 1999, kur edhe ka ndodhur ofanzive e cila ka zgjatur dy ditë unë nuk e kam ditur se kush ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Unë nuk e kam parë Florim Aliu që ka qenë i angazhuar ushtarakisht në pjesën ku unë kam qenë i angazhuar” tha dëshmitari me inicialet F.B.

Tutje, dëshmitari tha se nuk kanë pasur as armatim të mjaftueshëm e as uniforma me simbolet e UÇK-së, dhe se e konsideron pjesëtar të UÇK-së edhe një ushtar i cili nuk ka pasur uniformë me emblemë.

Pas propozimeve për dëshmitarë tjerë, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar me datën 21 dhjetor, 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Florim Aliu, më 17.11.2015 e deri më sot (kohën e ngritjes së aktakuzës), pa ndërprerë në Gjilan, e ka vënë në lajthim organin zyrtar kompetent-Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari, në vazhdimësi po e mban në lajthim edhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, ashtu që aplikacionin blanko me numër serik 29679 të dedikuar vetëm për pjesëmarrësit aktiv në UÇK-së, e ka plotësuar me të dhëna të pavërteta, kinse i njëjti nga data 14.04.1999 e deri më datë 15.06.1999 ka qenë ushtar aktiv në Zonën Operative të Karadakut, i angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari si dëshmi në aplikacion ka evidentuar personat përgjegjës të tij, dhe këtë aplikacion e ka dorëzuar ne Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, e nga aty aplikacioni është dorëzuar në Komisionin Qeveritar në Prishtinë, duke e vënë të njëjtin në lajthim, ashtu që i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Republikes së Kosovës në shumën prej 8,840.00 Euro.

Monitoruese: Ronita Halimi