Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në fshatin Bellopjë të Komunës së Pejës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

13:13 / 17 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është deklaruar i pafajshëm Svetomir Baqeviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullësisë civile në fshatin Bellopojë të Komunës së Pejës, raporton Drejtësia Sot. Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Svetomir Baqeviq akuzohet se gjatë vitit 1998 ka keqtrajtuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarit R.K., e T.K., krejt kjo me qëllim që të njejtit të i dorëzonin pjestarët e UÇK-së në shtabin e ushtrisë e policise serbe.

Në seancën e sotme pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurorit Special Ilir Morina, i akuzuari Svetomir Baqeviq, u deklaru plotësisht i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë pjestarë i ushtrisë apo policisë serbe.

Në këtë drejtim gjyqtari Musa Kongjeli, njoftoi mbrojtjen e të akuzuarit se kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat kohor prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me datë 09.11.2021, i pandehuri gjatë peridhës kohore në mes të muajve korrik-gusht të vitit 1998 në fshatin Bellopojë Komuna e Pejës, gjatë një konflikti me karakter jo-ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë, me dashje i shkel rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil.

Sipas aktakuzës i akuzuari merr peng të dëmtuarën T.K., duke hyrë i armatosur në shtëpinë e të fqinjëve të tij R.K., e T.K., të dy të moshës madhore rreth 60 vjeçare, me ç’rast fillimisht gjuan me armë automatike në drejtim të kulmit dhe dritareve të shtëpisë e pastaj edhe i dëmton gjësendet e tjera në shtëpi me pretekstin se po kërkonte për persona të tjerë.

Pastaj nën tutën e armës i nxjerrë jashtë shtëpisë të dëmtuarit duke i keqtrajtuar fizikisht e psiqikisht dhe nën kërcënimin e armës e rrëmben të dëmtuarën T.K., duke i thënë të dëmtuarit R.K., se të njejtën mund ta marr vetëm pasi ai të i sjellë në shtab të ushtrisë dhe policise serbe pjestarët e UÇK-së. Tutje theksohet se gjatë rrugës për në shtabin e policisë serbe, i akuzuari është ndaluar nga dëshmitari M.S., fqinjë i të dëmtuarës, i cili duke u përleshur me të pandehurin e ka gobitur me grusht dhe ka arritur të shpëtoj të dëmtuarën dhe ta kthejë sërish në shtëpinë e saj.

Kurse të nesërmen dëshmitari M.S., i merr të dy të demtuarit R.K., dhe T.K., në fshehtësi të ushtrisë dhe policisë serbe i largon nga fshati Bellopojë duke u krijuar mundësinë që të shkojnë në qytetin e Pejës.

Me këtë egziston dyshimi i bazuar se i njejti ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullësisë civile e ndëshkuar me nenin 142 të ligjit penal të ish-RSFJ-së si ligj në fuqi në kohën e kryerjes se veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës, nga neni 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Monitoruar nga Donjeta Pllana.