Deklarohen të pafajshëm 29 personat e akuzuar për pastrim të parave dhe bixhoz të paligjshëm

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

11:09 / 16 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm 29 personat të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”, raporton Drejtësia Sot.

Të akuzuar në këtë çështje penale sipas aktakuzës janë Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Përvetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arbër Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Makiqi, dhe Bekim Kyqyku.

Në seancën fillestare të udhëhequr nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, secili nga të akuzuarit veç e veç u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen ne barrë. Në këtë drejtim gjyqtari njoftoi palët se brenda afatit kohor prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur me datë 27.10.2020, nga prokurori Agron Bajrami e cila tashmë përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihu, 29 të pandehurit akuzohen për veprat penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.

Aktakuza e ndryshuar e datës 21.05.2021, të pandehurit e lartcekur i ngarkon, se duke vepruar qoftë veç e veç apo në bashkëkryerje ashtu siç është përshkruar në pikat e dispozitivit të aktakuzës, nga data e pa caktuar në vazhdimësi deri më 15.12.2017, duke vepruar me dashje dhe dijeni, në kundërshtim me ligjin për lojëra të fatit, gjithnjë me qëllim që vetit ti sjellin përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore, organizuan lojëra të fatit për të cilat nuk ka qenë e dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent, në atë mënyrë që me rastin e kontrollimit nga ana inspektoreve të ATK-së, dhe pjesëtareve të PK-së/DHKO, në bizneset e të pandehurve, janë gjetur dhe konfiskuar automate për të cilat të pandehurit nuk kanë pasur licencë nga organi kompetent apo kanë vepruar në kundërshtim me licencën e dhënë, apo nuk kanë pasur leje nga komuna përkatëse për ushtrimin e asaj veprimtarie.

Po ashtu, nga provat në dispozicion në këtë çështje, rezulton se tani të pandehurit e lartcekur që një periudhë të gjatë kohore janë të përfshirë në aktivitetin kriminal të pastrimit të parave të fituara me anë të veprave penale të lartcekura, ku me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, kanë realizuar aktivitetin e tyre kriminal përmes ushtrimit në mënyrë të kundërligjshëm të aktivitetit biznesor të kazinove gjegjësisht lojërave të fatit, e më pas duke realizuar transaksione të ndryshme financiare nga mjetet e siguruara nga ai aktivitet i tyre kriminal, më saktë nga vepra e ndërlidhur penale e cila vepër penale, të pandehurve ju ka gjeneruar të ardhura në shuma të larta milionëshe për rrjedhojë kështu duke u përmbushur në tërësi elementet e veprës penale të Shpëlarjes e Parasë (sipas specifikohet në ligjin për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit e terrorizmit), duke përfshirë: Vendosjen, Shtresëzimin dhe Integrimin përmes futjes dhe ri-futjes së mjeteve të paligjshme në ekonomin e vendit si të ardhura të ligjshme, siç specifikohet nenin 308 të KPRK-së dhe nenin 56 dhe 57 të ligjit 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprat penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Donjeta Pllana.