Në gjykimin e sotëm ndaj të akuzuarit Granit Elshanit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë- Departamenti për Krime të Rënda, u dëgjua përsëri eksperti i balistikës Ilir Kukaj, raporton “Drejtësia Sot”.
Elshani, po akuzohet për veprat penale vrasje të rëndë̈, tentim të vrasjes së rëndë̈, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.
Edhe pse eksperti i balistikes Ilir Kukaj, kishte dhënë deklaratë pranë kësaj gjykate edhe më parë, ai përsëri sqaroi paqartësitë në lidhje me armën dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.
Gjatë deklarimit të tij, ai shpjegoi në mënyrë të detajuar raportin e tij të përpiluar me shkrim lidhur për këtë çështje penale.
Kurse, në lidhje me gëzhojën e provës me numër 7 për të cilën ishte ftuar përsëri të deklarohej, Kukaj theksoi se kjo gëzhojë është e kalibrit 9x19mm.
Tutje, Kukaj deklaroi se gëzhoja e cila është objekt i ekspertimit është vendosur mbi fotografin e provës numër 7 e cila është bërë në vendin e ngjarjes dhe ka rezultuar të jetë e njëjta si në gjerësi dhe gjatësi.
Madje, një ilustrim lidhur me gëzhojën, eksperti e bëri edhe para trupit gjykues të kryesuar nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, si dhe dy anëtarëve të tjerë gjyqtar Shaqir Zika dhe gjyqtar Nikollë Komani.
Lidhur me deklarimet e dhëna nga ana e ekspertit Kukaj, mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, pati vërejtje në pikëpamje të mos besueshmërisë.
Së këndejmi, mbrojtësja e të akuzuarit Elshani, avokate Kosovare Kelmendi, i propozoi gjykatës që të shpallet si provë e papranueshme provat sa i përket armës së gjetur, kjo pasi që nuk ka pasur urdhëresë për bastisje lidhur me kontrollin e kryer në natën e 2 janarit 2010, në fshatin Ramun tek shtëpia e T.H. Sipas mbrojtjes, bastisja e kryer në atë natë ka qenë e kundërligjshme.
Këtë propozim të mbrojtjes e kundërshtoi prokurori Afrim Shefkiu. Sipas tij, arma është objekt i kësaj çështje penale, ngase hetuesit policorë kane theksuar se kanë shkuar në kërkim të personit Sh.H., mirëpo kanë hasur edhe tani të akuzuarin Granit Elshani me c’rast nën jastëk i kanë gjetur armën e të akuzuarit Elshani.
Pas kësaj trupi gjykues me pajtimin e të gjitha palëve mori aktvendim që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet dhe të shtyhet për datën 3 dhjetor 2021, ku do të vendosin edhe lidhur me propozimin e mbrojtjes.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.
Aktakuza më tutje shpjegon se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabin, i cili ishte pranë tij.
Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast:
MONITORUESE: JETA VULA
Lajmet në fokus